E Shtunë, 31 Tetor 2026

2006-ta, viti i “luftës” Duka-Leskaj

Viti që është duke përfunduar, 2006 ka qenë shumë i mbushur me aktivitete të ndryshme sportive që në disa raste kanë qenë të suksesshme dhe në disa të tjera kanë penguar zhvillimin dhe përmirësimin e sportit. Kjo ka ndodhur pikërisht me futbollin shqiptar që mund të thuhet se është "mbajtur" peng gjatë këtij viti nga konflikti MTKRS-FSHF. Futbolli shqiptar është duke kaluar një paralizë totale dhe kjo pasi askush nuk di ose nuk do që të fokusohet tek problemet e vërteta që po kalon ky sport në këtë periudhë tranzicioni të vështirë për Shqipërinë, por të gjithë ata që janë në krye të zgjedhur aty me meritë apo jo, i kushtojnë më shumë rëndësi politikës dhe e kanë kthyer sportin më të dashur të shqiptarëve në një instrument për të bërë politikë. Kështu, përvec problemeve me natyrë objektive që e kanë pllakosur futbollin tonë që në fillim të viteve 90, ku vlen të theksohet mungesa e terreneve sportive dhe kushteve normale të stërvitjes, puna e dobët me ekipet zinxhir apo edhe marrëdhëniet jo normale trajner-lojtar, trajner-president, president-lojtar dhe president-tifoz, kanë hyrë në mes edhe probleme të rënda me origjinë artificiale. Një prej tyre, madje më i vështiri për tu zgjidhur pasi nuk i takon drejtpërsëdrejti komunitetit të futbollit, është edhe "lufta" mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, apo më mirë të themi, mes Armando Dukës dhe ministrit Bujar Leskaj. Konflikti që ka nisur më shumë se një vit më parë midis Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, krijoi një paralizë totale në futbollin shqiptar, aq sa u krijua ideja se dy protagonistët e "sherrit" e lanë pas dore lojën e futbollit dhe i vunë vetes qëllim që të tregonin se kush ishte më i fortë, duke u përpjekur që të sabotonin punën e përditshme të njëri-tjetrit, e duke harruar që nga kjo gjë ai që e pësonte ishte pikërisht futbolli shqiptar. Gjithcka mes dy institucioneve nisi me ndërrimin e qeverive. Pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, Ministri i MTKRS, Bujar Leskaj, kërkoi të ndërrmerte një auditim në FSHF, nga drejtuesit e së cilës ky kontroll nuk u pranua dhe u cilësua i paligjshëm. Ata thoshin se nuk ka ligj për kontrollin e Federatës ndërsa Ministria këmbëngulte në të sajën, duke thënë se po kryente një detyrë për të cilën e obligon ligji. Ndërhynë në këtë "mesele" edhe organizmat më të larta të futbollit botëror dhe atij europian, si FIFA dhe UEFA, deri sa arritën që të kërcënonin edhe Shqipërinë me përjashtim nga organizmat e tyre dhe nga të gjitha veprimtaritë europiane dhe botërore sic ndodhi në vitin 96', kur për pak muaj kombëtarja shqiptare u përjashtua nga cdo aktivitet. Megjithatë, edhe pse rasti i vitit 1996 është ende i freskët në kujtesën e të gjithë shqiptarëve dhe tifozët kuqezi e kujtojnë ende me dhimbje, duket se asgjë nuk po i ndal institucionet tona që njëra ti "bierë gozhdës" e tjetra "patkoit". Pasi kanë ezauruar cdo armë, mundësia e vetme që ju kishte mbetur këtyre dy institucioneve për të luftuar deri në fund ishin dyert e prokurorisë. Kjo e fundit pasi mori njoftimin hyri në veprim dhe pasi hetoi rastin në fjalë ia kaloi cështjen gjykatës. Këtu loja u bë më e madhe dhe cështja i kaloi kufijtë e Shqipërisë, sepse në parim cështjet e futbollit duhen gjykuar në organizmat sportivë dhe nuk duhen cuar në asnjë rast në gjykatën civile. Megjithatë hapi ishte hedhur dhe pasojat do të duhej të merreshin parasysh. Në këtë pikë, FSHF ndihej e sigurt se duke pasur kumbarët e saj (FIFA dhe UEFA) nuk do të prekej nga shteti, i cili nga ana e tij shprehej publikisht se nuk e hante presionin. Kështu që cështja u gjykua normalisht në gjykatën civile dhe në të dy shkallët e saj, e drejta shkoi në favor të shtetit, duke u vendosur për ngrirje të të gjitha veprimeve dhe për përsëritje të zgjedhjeve në FSHF. Vetëm një muaj më parë Gjykata e Apelit vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë duke shpallur të paligjshme Federatën, presidentin Armando Duka dhe Asamblenë e 26 shkurtit, nga e cila janë zgjedhur vetë kreu i futbollit dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Tashmë do të jetë Përmbarimi që do të ekzekutojë këtë vendim. Por deri më sot asnjë lëvizje re nuk ka ndodhur dhe pritet muaji janar për të parë se cfarë do të ndodhë por le të shpresojmë që të mos ndodhë asgjë e keqe me futbollin shqiptar.
Besar Bozgo

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›