Sulejman Starova, i vetmi i paprekshëm

Deri në javën e 17-të të këtij kampionati bie në sy se vetëm trajneri i skuadrës së Teutës, Sulejman Starova i ka mbijetuar "rrebeshit" të shkarkimeve dhe të largimeve. Nën drejtimin e tij skuadra durrsake me 31 pikë renditet në vendin e 2-të, me 8 fitore, 7 barazime dhe 2 humbje, vetëm 6 pikë larg skuadrës së Tiranës që ndodhet në vendin e parë me 37 pikë. Duke iu referuar realitetit, i pari që u largua nga drejtimi i një skuadre të Kategorisë Superiore në sezonin 2006-2007 ka qënë Mustafa Hysi i Luftëtarit, i cili pas javës së parë ia la vendin Ilir Spahiut, duke qëndruar deri tani si zëvendësi i tij. Ndërsa i fundit që u largua ishte trajneri i Elbasanit Luan Deliu, i cili në 17 javë grumbulloi 26 pikë dhe e renditi skuadrën në vendin e 5-të, ndoshta një objektiv i parealizuar për drejtuesit verdheblu. Por duke u krahasuar periudha e fazës së parë të kampionatit në vazhdim, me të gjithë sezonin e kaluar 2005-2006, shifrat janë shumë serioze, sepse vetëm në 17 javë lëvizin 26 trajnerë në 12 skuadra, nga të cilat vetëm Teuta nuk i "bindet" këtij fenomeni. Në fazën e parë të sezonit të kaluar, në 9 javë u ndryshuan vetëm 4 trajnerë skuadrash, ndërkohë që vetëm në fazën e parë të këtij sezoni, në 11 javë, janë ndryshuar 8 trajnerë.
Agron Kaja