2007-2008, Berisha: Rritje në ekonomi shënon vlera me dy shifra
Kryeministri krahason rezultatet e qeverisjes së tij
"Bumi" ekonomik, rezultat i luftës antikorrupsion
Shqipëria ka rritjen më të shpejtë ekonomike në 13 vitet e saj të funksionimit të kapitalizmit në Shqipëri. Por krahasimin e këtyre arritjeve, këtë radhë, qeveria “Berisha” e bën me veten e saj, duke iu referuar tre viteve të mandatit të saj qeverisës dhe modelit të një qeverie të vogël. Këtë konstatoi dje Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, të cilin e informoi për
treguesit e lartë ekonomikë të tremujorit të parë të këtij viti. Kreu i qeverisë evidentoi faktin se ky “bum” i padiskutueshëm ekonomik është para së gjithash rezultante e luftës me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sipas Berishës, treguesit e lartë ekonomikë tregojnë se zhvillimet e ekonomisë së vendit përbëjnë zhvillimet më pozitive në 13 vitet e fundit. "3 vjet më parë, kur u paraqitëm shqiptarëve programin tonë ekonomik në fushatën elektorale dhe në parlament, ne u zotuam se do ta bëjmë Shqipërinë vendin e rritjes më të shpejtë ekonomike dhe ky zotim bazohej para së gjithash në besimin tonë tek programi i qendrës së djathtë", - tha Kryeministri Berisha.
Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se "në 6-mujorin e parë të këtij viti u regjistruan 13 533 biznese të reja kundrejt 6608 bizneseve të regjistruara në 6-mujorin e parë të vitit 2007". Kryeministri cilësoi se është dyfishuar numri i bizneseve dhe fuqia e iniciativës së lirë të shqiptarëve, guximi dhe vendimmarrja e tyre për biznese. "Këtë 6-mujor eksportet 'Made in Albania' janë rritur me 41 për qind krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar, ndërsa importet janë rritur me 13 për qind", - informoi Kryeministri. Ndërkohë, sipas tij, "rritja e të ardhurave nga taksat dhe tatimet, krahasuar me të njëjtin 6-mujor të vitit 2007, është 19 miliardë lekë, pra 19.1 për qind". Kreu i qeverisë bëri prezent faktin se "statistikat e fundit tregojnë për një rritje të madhe të vëllimit të ndërtimeve, të vëllimit të tregtisë, prodhimit industrial dhe vëllimit të transporteve". Berisha vlerësoi se ky "bum" i padiskutueshëm ekonomik është para së gjithash rezultante e luftës me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe e zbatimit me besnikëri të programit të qendrës së djathtë. "Të shumtë janë ata që flasin për taksën e sheshtë, por fatkeqësisht janë të detyruar për rrethana të caktuara të zbatojnë taksën progresiste. Të shumtë janë ata që flasin për qeveri të vogël, por qeveria shqiptare është model i qeverisë së vogël, ndërkohë që kjo qeveri ka bërë realitet edhe shkurtimin e shpenzimeve operative", - tha Kryeministri Berisha, duke theksuar njëkohësisht se "inflacioni në vend po vjen drejt uljes".
Berisha, APENSA: Projekt për ujin e pijshëm
Gjermanët investojnë në Shqipëri me një sërë projektesh që kanë të bëjnë me ujin e pijshëm dhe një port kontejnerësh në Bunec. Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me përfaqësues të kompanisë gjermane APENSA AG, të kryesuar nga zoti Fritz Schaff, të cilët prezantuan projektin për ndërtimin e një impianti të nxjerrjes, përpunimit dhe ambalazhimit të ujit të pijshëm për konsum vendi dhe eksport, si dhe të një porti kontejnerësh në zonën e Bunecit, investime të cilat arrijnë vlerën 400 milionë euro. Gjatë këtij takimi, përfaqësuesi i kompanisë gjermane, Schaff, në emër të kompanisë shprehu vlerësimin për arritjet e viteve të fundit në ekonominë shqiptare, si dhe përmirësimin e ndjeshëm të klimës ndaj biznesit në tërësi dhe investimeve të huaja në veçanti. “Janë pikërisht këto ndryshime, - u shpreh zoti Schaff - të cilat e bindën kompaninë të përzgjedhë Shqipërinë ndër vendet e tjera të rajonit, për të zbatuar këtë projekt”. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i njohu investitorët me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit, si dhe përpjekjet e vazhdueshme në përkrahje të investimeve të huaja dhe nxitjes së tyre. Duke mbështetur këto projekte, Kryeministri Berisha i garantoi investitorët gjermanë se institucionet përkatëse do të mbështesin investimet e tyre, duke u shërbyer në kohë dhe me cilësi.
Berisha, OMNIX: Kompleks turistik në Lals
Kryeministri Berisha priti dje në një takim grupin OMNIX nga Dubai dhe Katari, të cilët paraqitën projektin e përfunduar në fushën e turizmit, për ndërtimin e një kompleksi turistik në gjirin e Lalsit. Investimi me vlerë rreth 1 miliard dollarë, i parashikuar për t’u përfunduar në 4 vjet, konsiston në ndërtimin e një rezidence turistike, akuapark-marine, qendrës relaksuese dhe kuruese, si dhe të një qendre trajnimi për konferencat si dhe të shkollës së turizmit. Ky projekt e parashikon këtë zonë, si një qytezë bregdetare me të gjitha llojet e infrastrukturës, duke përfshirë hotele, kinema, qendra argëtimi, kurimi etj. Duke e vlerësuar këtë projekt shumë të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në vendin tonë, Kryeministri Berisha përgëzoi grupin nga Dubai dhe i garantoi ata se strukturat qeveritare do të mbështesin ndërtimin e këtij projekti, duke u siguruar investitorëve të gjitha lehtësitë e nevojshme.