Berisha: Jashtë nga politika, spiunët e sigurimit
Biberaj: E bëra ligjin, pasi m’u kërkua
Grupi i PD-së sot diskuton nen për nen draftin
Kryeministri Sali Berisha kërkon largimin nga politika të të gjithë ish-sigurimsave të shtetit. Por kreu i qeverisë nuk mbështet hapjen e dosjeve për të gjitha kategoritë e përcaktuara në draftin “Biberaj”. Këtë e bëri dje të ditur në takimin e radhës me grupit kuvendor të PD-së. Ndaj grupi parlamentar i PD-së do të mblidhet sërish sot për të diskutuar nen për nen projektligjin e paraqitur nga deputeti Aleksandër Biberaj për pastërtinë e figurave dhe funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve. Burime brenda mbledhjes bëjnë të ditur se Kryeministri u ka thënë deputetëve se ata që kanë dosje nuk do të jenë më në politikë. Berisha ka lënë të kuptohet se mazhoranca edhe mund t’i kthehet ligjit të vitit 1996 për spiunët. Nga ana tjetër, deputeti Aleksandër Biberaj shpjegoi para deputetëve të djathtë punën e bërë rreth draftit që ka paraqitur, ndërkohë që bëri të qartë faktin se iu kërkua përgatitja e një projektligji, ndaj dhe e bëri, pavarësisht mënyrës se si drafti po diskutohet në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Gjithsesi, shqyrtimi i tij do të nisë sot në mbledhjen jashtë radhe të grupit parlamentar të PD-së nga ku dhe do përcaktohen kufijtë e kategorive që do përfshihen nga hapja e dosjeve të ish-sigurimsave të shtetit. Projektligji “Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve”, nëpërmjet kontrollit ligjor të funksionarëve të lartë, synon pastrimin e politikës shqiptare dhe të administratës publike, të sistemit të drejtësisë dhe të diplomacisë, të sistemit arsimor dhe të medias, si dhe të sektorëve të tjerë publikë nga individë të cilët me veprimtarinë e tyre legale apo ilegale për ish-Sigurimin e Shtetit dhe në shërbim të tij, kanë sjellë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut për individë dhe familje, të cilët përbënin një pjesë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare. Si pasojë e aktivitetit të këtyre individëve në shërbim dhe të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit, shumë qytetarë shqiptarë të pafajshëm u burgosën, u internuan (ku një pjesë e madhe edhe vdiqën në kampet e internimit), sikurse një pjesë tjetër u vranë me apo pa gjyq, për motive të mirëfillta politike. Hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të bashkëpunëtorëve të tij është një detyrim politik dhe moral i klasës politike shqiptare, jo vetëm ndaj shoqërisë shqiptare, por edhe ndaj historisë së vendit tonë. Gjithashtu, miratimi i këtij ligji është një detyrim moral ndaj shtresës së ish-të persekutuarve politikë, të cilët vuajtën për dekada me radhë tmerrin e diktaturës më të egër komuniste nga ish-blloku komunist. Subjekti i verifikimit sipas këtij ligji, janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar.
Subjekt i verifikimit sipas projektit të Biberajt
Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës; Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi; anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore; anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive; funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në pikën c; guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë; funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”; prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave; anëtarët e këshillave të qarkut si dhe të këshillave bashkiake; funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin Informativ të Rendit (SHIR); funksionarë në Gardën e Republikës; drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë dhe shefa policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati; diplomatët në përfaqësitë tona diplomatike; drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qendror apo lokal të partive politike parlamentare si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit; drejtues, kryeredaktorë dhe redaktorë të mediave audio-vizive, si dhe të mediave të shkruara me një tirazh ditor më të madh se 2000 kopje në ditë; akademikë, rektorë/zv.rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike; përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare me nënshtetësi shqiptare.