Grupi i PS-së: Tërheqja nga “dosjet” do të na dëmtojë politikisht
Deputetët, të shqetësuar pas tërheqjes së nismës ligjore
Socialistët nuk do të paraqesin projekt të ri për këtë çështje
Partia Socialiste i frikësohet një reagimi të publikut pas tërheqjes së tyre nga kërkesa për zbardhjen e krimeve të komunizmit. Megjithëse ka rrëzuar tashmë ligjin e saj dhe nuk ka ndërmend të paraqesë një ligj të ri për këtë çështje, PS-ja tenton ta monitorojë me kujdes këtë veprim politik për të mos pasur kosto politike. Shumë deputetë të saj mendojnë se PS-ja duhet të tregojë kujdes më ligjin për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit në mënyrë që të mos lexohet sikur ajo është kundër hapjes së tyre. Ky ishte mesazhi i dhënë dje në mbledhjen e grupit parlamentar të selisë rozë, ku është diskutuar mbi çështjen më të debatueshme këto ditë të politikës shqiptare. Lidhur me faktin e tërheqjes së Partisë Socialiste nga nisma ligjore që ajo dorëzoi më shumë se një vit e gjysmë më parë, burime nga grupi thanë se deputetë të ndryshëm kanë kërkuar artikulim të kujdesshëm në mënyrë që rivalët politikë, por edhe opinioni publik, të mos e interpretojë sikur kjo parti është kundër hapjes së dosjeve. Dje në Komisionin e Ligjeve PS-ja konsideroi si antikushtetuese nismën ligjore të saj për këtë çështje. Pikërisht, kjo tërheqje nga nisma ligjore mund të krijojë hapësira për komente të tilla, në një kohë kur kjo parti po mundohet të bëjë çdo përpjekje për t’u shkëputur nga prejardhja e saj si pasardhëse e Partisë së Punës. Kryetarja e grupit parlamentar të selisë rozë, Valentina Leskaj, deklaroi dje se PS-ja nuk është tërhequr nga ky proces, por vlerëson se këto tre projektligje, mes tyre edhe i kësaj partie, kanë dy vjet që janë dorëzuar dhe si të tillë janë të pavlefshëm sepse nga ana procedurale u ka kaluar afati. “Nuk është çështje e tërheqjes së ligjeve apo projekteve nga PSSH-ja, por për hir të së vërtetës, ato 3 ligje nuk ekzistojnë më, për shkak se në kuptimin e procedurës së Parlamentit, ato projektligje janë depozituar një vit përpara, dhe natyrisht ka afate kohore. Por kjo nuk është arsyeja themelore, ajo ka të bëjë me të bërit e një procesi që mbështetet në të gjitha instrumentet ndërkombëtare, që Parlamenti shqiptar i ka ratifikuar. Ato tri nisma, pothuajse nuk janë më për sa i përket procedurës”, - tha Leskaj. Ajo u shpreh se PS-ja është për një proces i cili mbështetet në instrumentet ndërkombëtare, në të drejtat e njeriut, dhe kryesisht në konventën e Këshillit të Evropës, që i referohet edhe kësaj çështjeje, si dhe në Kushtetutën e Shqipërisë dhe Rregulloren e Parlamentit.
KMK-ja ankimon vendimin e KQZ-së në Kushtetuese
Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës depozitoi dje në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me zhvillimin e një referendumi popullor lidhur me amendamentet e Kushtetutës së Republikës të realizuara në 21 prill nga shumica e bashkuar e deputetëve të PS-së dhe PD-së. Hartues i kërkesës është grupi nismëtar për zhvillimin e referendumit i përbërë nga figura të shquara të shoqërisë civile dhe politikës. Në kërkesë jepen argumente të shumta juridike që provojnë se vendimi i KQZ-së për të mos marrë në shqyrtim kërkesën për fillimin e procedurave për një referendum të përgjithshëm, cenon të drejtën kushtetuese për një proces të rregullt ligjor me qëllim mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm. Po dje, Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës i ka dërguar edhe një letër zotit Jose Manuel Barroso, President i Komisionit Evropian dhe zotit Olli Rehn, Komisioner për Zgjerimin e BE-së, ku shprehet shqetësimi për rrezikimin e demokracisë liberale në Shqipëri pas amendamenteve të 21 prillit.
PS, ankimim në Kushtetuese për “titujt e pronësisë”
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste vendosi dje të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin për titujt e pronësisë, i cili deri më tani ka marrë miratimin në parim nga ana e Kuvendit. PS-ja është shprehur kundër qysh në fillim të këtij projektligji, sepse sipas saj, është parimisht i gabuar. “Është një projektligj, i cili ngrihet për të korrigjuar dhe për të verifikuar një ligj që është tashmë në fuqi. Është një projektligj i cili krijon një komision, që i jep të njëjtat atribute që iu dhanë së fundmi dhe ALUIZNI-t. Pra, një komision i cili mund të japë dhe mund të heqë tituj pronësie dhe kjo është një shkelje skandaloze, të cilën ne nuk mund ta pranojmë. Është një projektligj, i cili krijon mundësi për Partinë Demokratike të ngrejë përpara zgjedhjeve komisione, të cilat japin dhe heqin tituj pronësie. Për këtë arsye, në qoftë se ky projektligj do të miratohet sot me forcën e kartonave, ne do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese”, - është shprehur kryetarja e grupit parlamentar të PS-së Leskaj gjatë diskutimit të tij në komisionet parlamentare.
FRESSH-i nis turin nga Shkodra e Lezha
Në dy takimet e tij të para në qytetet e Shkodrës dhe të Lezhës, në kuadër të turit veror me të rinjtë, FRESSH-i ka nisur një përvojë të re dhe shumë efikase, duke u njohur nga pranë me problemet dhe idetë e grupmoshave të ndryshme në qytetet veriore. Në fjalën e tij, delegacioni i turit i udhëhequr nga Kondi, Xoxa dhe Broka, prezantoi idenë e kësaj nisme dhe bisedoi me të rinjtë shkodranë për tema të ndryshme shoqërore e politike që shqetësojnë sot të rinjtë e vendit. Djem e vajza të shumta shkodrane u treguan aktivë e pjesëmarrës në këtë veprimtari, e cila u mbyll me një parti nën tingujt e muzikës dhe pjesëmarrjes të të rinjve që bisedonin, duke konsumuar pije freskuese, për të larguar për pak çaste edhe klimën e nxehtë verore. Kjo për sa i takon takimit të parë, çka hapi edhe turin i cili do të mbyllet në fund të gushtit, pas 16 etapave të ndryshme në qytetet më të rëndësishme të vendit.