E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maxhoranca dhe opozita miratojnë Rregulloren e re të Kuvendit



Vazhdon fryma evropiane bashkëpunimit mes opozitës dhe pozitës

Edhe pse fillimisht me debate, palët arrijnë mirëkuptimin

Kuvendi ka kaluar ditën e djeshme me 103 vota pro dhe 9 kundër, ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Pavarësisht votave kundër dhe kundërshtimit të deputetëve të LSI-së, Kuvendi i tha po rregullores së re, e cila ndryshon nenin 111 të Rregullores së Kuvendit në lidhje me shqyrtimin e të gjitha dekreteve që vijnë në Kuvend. Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit kanë qenë të shumta. Ato kanë prekur disa çështje të tjera, përveç mënyrës së shqyrtimit të çdo dekreti që vjen në Kuvend për të marrë pëlqimin. Deputetët e të dy krahëve janë shprehur në seancë plenare se ndryshimet janë pozitive dhe kanë për të ndikuar në rritjen e bashkëpunimit mes Kuvendit dhe institucioneve të tjera.

Ndryshimet

Vetëm tri ditë më parë Këshilli i Rregullores ka miratuar edhe rregullimin e neneve të rregullores që u korrespondojnë ndryshimeve që u bënë disa muaj më parë në Kushtetutë, që kanë të bëjnë me nenet 87, 104 dhe 105 të Kushtetutës dhe që u korrespondojnë neneve 100, 101 dhe 109 të rregullores. Tashmë me paraqitjen e kandidaturave, Kryetari i Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit përkatës, i cili brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës i shqyrton ato dhe harton raportin përkatës. Komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen dhe pasi ka marrë miratimin me shkrim të personit të propozuar, shqyrton si përmbushjen e kushteve formale, kushtetuese e ligjore, ashtu edhe meritën e çdo kandidature duke u bazuar në kritere të matshme dhe objektive. Në rast se komisioni përkatës, vëren se ndonjëra nga kandidaturat ka probleme me kriteret ligjore, atëherë Kryetarja e Kuvendit ka të drejtën që në emër të Kuvendit të bisedojë me kreun e institucionit propozues, para se të kalojë në seancë plenare. Për të rritur transparencën dhe ndihmesën e publikut në përzgjedhje, komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Përfundimet e nxjerra nga ky proces shqyrtimi i përcillen Kuvendit për të vendosur miratimin ose jo të çdo kandidature të propozuar.

Votimi

Pavarësisht se çështja e rregullores ka qenë në qendër të debateve politike ditën e fundit, mazhoranca dhe opozita kanë arritur që të gjejnë gjuhën e përbashkët. Votat kundër kanë qenë ato të LSI-së të cilët nuk kanë qenë dakord me konsensusin PS dhe PD. Deputetët e grupit parlamentar të LSI-së votuan kundër këtyre ndryshimeve, duke i cilësuar ato si “një tentativë për të akaparuar atributin e pushteteve të tjera dhe kompetencat e Presidentit të Republikës”. “Organizimi i seancave dëgjimore me kandidatët është i papranueshëm dhe antikushtetues", - tha kryetari i grupit kuvendor të LSI-së Pëllumb Xhufi. Pavarësisht këtyre kontestimeve, deputetët në shumicë i cilësuan këto ndryshime si një domosdoshmëri. Ky ndryshim erdhi pas situatës së krijuar në Kuvend në seancën plenare të 16 qershorit, kur Parlamenti, me shumicë votash, rrëzoi pesë dekretet e Presidentit për emërimet e reja në Gjykatën e Lartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›