Fatos Nano shpëton mandatin dhe voton kundër klonimit
Fatos Nano rikthehet në Kuvend. Sa herë ndodh kjo, përbën lajm. Ai di të jetë protagonist edhe kur këtë e bën thjesht për të shpëtuar pagën e deputetit. Lideri historik i së majtës, aktualisht deputet i pavarur, pasi emri ti tij nuk është më në grupin e PS-së, ka marrë pjesë në seancën e djeshme plenare duke respektuar kështu një nen kushtetues, i cili përcakton se në rast se ndonjë deputet mungon pa arsye në Kuvend më shumë se gjashtë muaj, humbet mandatin. Por ky ka qenë një rast i mirë që ai të përshëndesë rivalin politik të vjetër, Sali Berishën. Por batutat mes tyre s’kanë qenë aq të spikatura sa herët e shkuara, pasi janë mjaftuar me një “u ktheve”, nga Kryeministri dhe me përgjigjen “po ç’të bëj” nga Nano. Në fillim të seancës ai është ulur në karrigen e tij në radhën e parë, të cilën nuk e ka zënë askush nga deputetët e majtë, dhe pas disa minutave, ai ka shkuar në kafen e Kuvendit ku ka kaluar një pjesë të mirë të kohës në shoqërinë e deputetëve të krahëve të ndryshëm të politikës. Pavarësisht akuzave të panumërta të ardhura në adresë të tij, deputetët pranuan shoqërinë e Nanos në kafen e Kuvendit. Pas përfundimit të diskutimeve të lira në Kuvend, Kryetarja e Kuvendit Topalli u bëri me dije sekretareve që të thërrasin deputetët për t’u rikthyer në sallë për të marrë pjesë në votimet e projektligjeve. Deputeti Nano respektoi këtë kërkesë dhe u rikthye edhe një herë në sallën e Kuvendit për të shtypur butonin elektronik për të votuar projektligjet në sallë. Krejt rastësisht, në seancë në të njëjtën kohë mbërriti edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili vuri re ndryshimin në sallë. Të dy liderët u përshëndetën dhe i dhanë dorën njëri-tjetrit, si dhe shkëmbyen batutat e rastit. “Paske ardhur me sa shoh”, mësohet t’i ketë thënë Berisha Nanos. “Epo ç’të bëj”, - i është përgjigjur Nano Berishës. Më pas Nano dhe Berisha janë ulur në vendet e tyre. Kryetarja e Kuvendit Topalli ka proceduar me projektligjet, ku i pari në listë ishte ai i “Pronësisë industriale”, i cili ndalon klonimin e njeriut në Shqipëri. Fatos Nano dha votën e parë pas disa muajve mungesë, pro këtij ligji të mazhorancës, duke i thënë edhe ai jo klonimit të njeriut. Ish-kryemisnitri duket se bashkohet me parimorët në këtë debat, duke respektuar etikën njerëzore dhe atë religjioze.