E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI, nisma ligjore paralele për minatorët

Greva e minatorëve është kthyer në një betejë të re mes dy partive të majta, PS dhe LSI. Kritikave të minatorëve grevistë pak ditë më parë se nuk janë përpjekur për t’i mbështetur në kërkesat e tyre, dy partitë u janë përgjigjur me dalje publike dhe me nisma konkrete. Kryetari i Partisë Socialiste i ka kushtuar një komunikim me mediat grevës së urisë nga minatorët duke kërkuar komunikim të Kryeministrit Berisha me minatorët. Nga ana tjetër, ai kërkoi që Kuvendi të miratojë sa më parë nismën ligjore të PS-së që lidhet me pensionet e kësaj shtrese shoqërore. “Ne i kemi propozuar Kuvendit një projektligj për të zbutur sadopak kushtet e tyre familjare duke bërë një rritje të arsyeshme të pensionit dhe kërkojmë që Kryeministri e forcat qeveritare ta miratojnë këtë propozim, duke korrigjuar gafën e Komisionit të Ekonomisë, ku e hodhën poshtë me shurdhërinë e shumicës”, - tha Rama. Nga ana tjetër, po dje, Lëvizja Socialiste për Integrim bëri të ditur se ka gati një nismë ligjore që do të dorëzohet në Kuvendin e Shqipërisë. Nënkryetari i kësaj partie, Dritan Prifti, tha se projektligji në fjalë lidhet me statusin e minatorëve. “Projektligji është miratuar edhe nga sindikata e minatorëve dhe synon të detyrojë qeverinë të ulet në bisedime me minatorët”, - tha Prifti. Ndërkohë, minatorët kanë më shumë se dy javë që kanë hyrë në grevë urie, derisa pak ditë më parë ata akuzuan opozitën se nuk i ka përkrahur apo këmbëngulur në kërkesat e tyre. Është pikërisht kjo që e ka detyruar Ramën të rikthehet në podiumin e konferencave për shtyp të selisë rozë për të përsëritur që Kryeministri duhet të dialogojë me minatorët, ndërsa LSI-ja ka dalë me një projekt të ri ligjor që lidhet me statusin e minatorit. Kështu, edhe një grevë urie nga minatorët është kthyer në një luftë protagonizmi mes dy partive për të treguar se cilës prej tyre i takon roli i vërtetë i të bërit opozitë. LSI-ja i ka mëshuar mjaft këtij fakti, sidomos pas periudhës së miratimit të ndryshimeve në Kushtetutë. Sipas saj, qëndrimi i ri i Partisë Socialiste bën që opozita kundrejt mazhorancës të jetë zbutur mjaft. Pak muaj më parë, kur u forcuan mesazhet që pozita dhe opozita duhej të gjenin gjuhën e përbashkët për bërjen e reformave, e majta u zhyt në një luftë të fortë protagonizmi duke publikuar për disa ditë rresht platforma të ndryshme për reformën në drejtësi në vend që t’i unifikonin ato.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›