Hapja e dosjeve, tërhiqet PS-ja
Partia Socialiste quan antikushtetuese të gjitha nismat
Debat në Komisionin e Ligjeve për “spiunët” në politikë
Kulmi i debati politik mbi hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit famëkeq të Shtetit ka shënuar tërheqjen e parë publike. Partia Socialiste ka dalë kundër projekteve ekzistuese për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit, duke i cilësuar ato antikushtetuese. PS-ja ka dalë madje dhe kundër projektit të saj, megjithëse nuk e ka tërhequr këtë projekt nga diskutimi në Komisionin e Ligjeve. Megjithëse parimisht kjo parti ka shprehur gatishmëri për këtë çështje, duket se po tenton të gjejë rrugët për të penguar ose për të dalë kundër miratimit të një ligji për këtë çështje. Ajo dje është shprehur kundër të gjitha nismave që mundësojnë zbardhjen e krimeve të komunizmit. Deputeti i PS-së, Arben Isaraj, relatori i opozitës në komision, deklaroi se të gjitha nismat ligjore të ardhura në Kuvend për sa i përket pastrimit të figurave, janë antikushtetuese, madje janë në kundërshtim me 25 nene të saj. “Të gjitha projektligjet janë antikushtetuese, madje bien ndesh me 25 nene të saj, por përveç kësaj, janë edhe jashtë afatit”, - tha Isaraj. Deputeti i PS-së nuk dha shpjegime të mëtejshme në lidhje me këtë çështje, por burime nga kampi i majtë shprehen për gazetën se Partia Socialiste kërkon më shumë kohë për këtë çështje. Sipas këtyre burimeve, lidershipi i PS-së kërkon që kjo çështje të shtyhet më tej, pasi e cilëson shqyrtimin e projektligjeve si jo të përshtatshëm në këtë fundsesioni parlamentar.
Shqyrtimi
Ndonëse fillimisht Komisioni i Ligjeve duket se e mori seriozisht këtë temë, pra shqyrtimin e projektligjeve për pastrimin e figurave të zyrtarëve të lartë, mbledhja e parë u kthye në një betejë politike. Aldo Bumçi, relatori nga kampi i djathtë, siguroi se nisma ligjore e PD-së është tepër korrekte, si dhe përcakton qartë mënyrën e hapjes së dosjeve për të implikuarit. Ai tha më tej se PD-ja kërkon që kjo çështje të marrë fund njëherë e mirë, në mënyrë që të plotësohet ana morale që kërkon shoqëria, të dëmshpërblehen pasojat për të prekurit, madje të ngrihet edhe një muze ku të tregohen krimet e asaj kohe. Fjalimi parimor i Aldo Bumçit u interpretua krejt ndryshe nga opozita. “Kjo gjë nuk ka për të ndodhur fare”, - tha Pandeli Majko. “Ne jemi për hapjen e dosjeve, por kështu siç po bëhet, kur nga mazhoranca ka disa nisma dhe mënyra, kjo bëhet për qëllime artistike”, - tha deputeti i LSI-së, Spartak Braho. “Spiunët ndodhen edhe në qeveri, dhe kjo do të thotë që të bjerë qeveria”, - tha deputeti tjetër i majtë Elmaz Sherifi. Reagimet nuk munguan edhe nga mazhoranca. “Në vitin 1995 pati një ligj tepër të mirë i cili funksionoi dhe në vitin 1996. Parlamenti ishte i një niveli tepër të lartë”, - tha deputeti Pal Dajçi. “Kjo çështje duhet të shkojë deri në fund, pasi është një detyrim tepër i lartë”, - tha deputeti tjetër i PD-së Eris Hoxha. Republikani Arjan Madhi tha nga krahu tjetër se duhet të respektohet, siç duhet Rezoluta e KE-së për këtë çështje.
Beja nuk fut në diskutim projektin e Biberajt
Mbledhja e parë pati si dëgjues edhe deputetin e PD-së, Aleksandër Biberaj, si dhe kryetarin e PDK-së, Nard Ndoka, mbi projektligjet përkatëse të propozuara prej tyre për hapjen e dosjeve. E ndërsa kreu i PDK-së e mbrojti variantin e tij duke u shprehur se nisma ligjore e PDK-së ka një frymë të plotë bashkëpunimi dhe nuk ngjan me nismat e PD-së apo PS-së, të cilat janë të prekura nga interesa, deputeti Biberaj nuk mori përgjigje pozitive për shqyrtimin e nismës së tij ligjore. Kreu i komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, i bëri të qartë Biberajt se projekti i tij duhet të vinte në emër të një grupi deputetësh dhe duhet të kalojë procedurat rutinë të Kuvendit, para se të futet në diskutim. “Unë kam paraqitur variantin integral për të tre projektligjet”, - tha Biberaj, por kryetari i Komisionit Fatos Beja u shpreh se “nuk na ka ardhur projektligji juaj nga ndonjë grup parlamentar”, si dhe “duhet të presësh derisa të vijë koha që përcakton procedura”. Më tej, Fatos Beja, u shpreh se nismat ligjore do të përmblidhen në një dhe këtë detyrë ua ngarkoi relatorëve. Sipas tij, në komision ka vullnete politike të cilat mund të shërbejnë për të arritur në një qëllim të caktuar.
Debatet në Komisionin e Ligjeve
Arbej Isaraj
Unë si relator konstatoj se të tre projektligjet në tërësinë e tyre (të shqyrtuara dhe vlerësuara në veçanti, por dhe si të integruara) janë të papajtueshme me Kushtetutën, pasi vijnë në kundërshtim me rreth 25 nene të ligjit më të lartë. Gjithashtu, bazuar në pikën 3, neni 69 i Rregullores së Kuvendit, i gjej të tre projektligjet jashtë afatit 2-mujor për t’u shqyrtuar në komision dhe seancë plenare.
Aldo Bumçi
Projekti i PD-së përcakton me detaje të gjitha ato që kërkon në lidhje me verifikimin e figurave të zyrtarëve të lartë. Komisioni i Verifikimit të Figurave do të jetë me 5 vetë, dy anëtarë do të jetë të PD-së dhe dy të PS-së dhe kryetarin e zgjedhim me konsensus. Duhet të kuptojmë se duhet të zgjidhim këtë çështje si moralisht, ashtu edhe të dëmshpërblehen të prekurit, madje të ngihet edhe një muze mbi krimet e komunizmit.
Fatos Beja
Duhet të kuptojmë se tashmë shoqëria shqiptare është e hapur. Të tre projektligjet kanë si objektiv kryesor kufizimin vetëm në një drejtim, papajtueshmëri për të qenë në pozitat vendimmarrëse dhe drejtuese të këtij vendi, President, Kryeministër, ministra, deputetë dhe funksionarë të tjerë të lartë që vijnë pas këtyre në poste drejtuese.
Pandeli Majko
Tani ajo që shoh unë është se kjo çështje nuk ka për t’u bërë. Kjo punë duhej të ishte bërë që në vitet e para. Kur nuk u bë në atë kohë, nuk bëhet më, pasi tani është vonë.
Pal Dajçi
Në vitin 1995 u miratua një ligj që e bëri shumë mirë punën e vet, por që ju e hoqët atë. Rezultati i tij ishte që prodhoi një Parlament me nivelin më të madh në këto vite. Erdhët ju dhe e anuluat. Tani unë nuk e kuptoj se pse duhen bërë këto nisma ligjore, pasi ai ligj ishte tepër i vlerësuar. Ju nuk keni vullnet për këtë çështje se po të ishte për vullneti, mund të ndryshojmë edhe Kushtetutën, siç bëmë për Kodin Zgjedhor.
Spartak Braho
Ne jemi për hapjen e dosjeve, por kështu siç po bëhet, kur nga mazhoranca ka disa nisma dhe mënyra, kjo bëhet për qëllime artistike.
Arjan Madhi
Nismat ligjore duhen parë me kujdes, sepse duhen integruar me Rezolutën e Këshillit të Evropës që Kuvendi ka miratuar. Duhen parë mirë kriteret që kërkon ajo rezolutë.
Elmaz Sherifi
Duhet parë më kujdes çështja e mandateve, pasi në rast se e miratojmë ne, do të thotë që qeveria do të bjerë, pasi atje ka spiunë. Duhet rishikuar më me kujdes kjo çështje.
Nard Ndoka
Dy ligjet e tjera kanë një mangësi të madhe: janë ligje kundër njërës dhe tjetrës palë. Drafti ynë është më i mirë dhe më i plotë, sepse nuk është kundër asnjë pale politike, nuk merret me palët, por me thelbin e problemit, me dosjet dhe nevojën e hapjes së tyre. Ne nuk duam që hapja e dosjeve të kthehet në gjueti shtrigash për interesa elektorale, por të jetë një proces serioz, ligjor.