E Shtunë, 31 Tetor 2026

2008,Viti i diplomacisë

Analiza / Pikat kulmore të diplomacisë që shkruan emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare

Falë artit të diplomacisë, Shqipëria nga një pikë e vogël në hartën e Evropës, i fundit vend nga Evropa Lindore që u çlirua nga zinxhirët e komunizmit, ka arritur të shënojë emrin e saj në arenën ndërkombëtare dhe të bëhet pjesë e rëndësishme e historisë së re të Evropës e më gjerë. Është gati e pamundur për një shtet të vogël, që nënkuptohet me një popullsi të vogël e i dobët ekonomikisht dhe ushtarakisht, që të imponojë qëndrimet e tij në arenën ndërkombëtare. Është gati e pamundur në një skenë botërore, ku rregullat i vënë të fuqishmit dhe të tjerët vetëm zgjedhin anën që do të mbajnë. Por ndryshe ka ndodhur me Shqipërinë. Në një mënyrë a një tjetër, ky vend i vogël, fati i të cilit u përcaktua para një shekulli, këtë fillim shekulli ka qenë një gur i fortë në lojën ndërkombëtare karshi Ballkanit. Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe marrjen e ftesës për t’u bërë anëtare e NATO-s, Shqipëria nuk është më vendi i etiketuar si eksportues i drogës e prostitucionit. Viti 2008 ka qenë pa dyshim viti vendimtar dhe ndoshta më i rëndësishmi për vendin tonë dhe për rolin e diplomacisë në ngjarjet që ndodhën e që ndryshuan imazhin e Shqipërisë tek të huajt dhe peshën e saj në politikën ndërkombëtare. Pikat kulmore u shënuan që në fillim të këtij viti, më 17 shkurt, kur u shpall pavarësia e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan dhe më 2 prill, kur në Bukuresht 26 aleatë të Aleancës Atlantike të Veriut i bënë gati karrigen Shqipërisë si aleate e 27-të në këtë aleancë ushtarake e politike, një nga më të hershmet e më të fuqishmet. Si pasojë e këtij ndryshimi rrënjësor, në mënyrën se si sytë e botës panë vendin e vogël në cep të Evropës ndryshoi dhe mënyrën se si vende të mëdha e shihnin Shqipërinë në marrëdhëniet bilaterale dhe më gjerë. Mund të përmendim pritjen e Kryeministrit Sali Berisha në Berlin, apo vizitat e ministrit Basha në Uashington, ardhjen e disa krerëve të lartë të shteteve fqinje në Tiranë, që u pasuan pas një vizite, që me të drejtë u cilësua historike, e Presidentit amerikan, Xhorxh Bush, në Shqipëri vetëm një vit më parë.

Kosova, rilindja e kombit

17 shkurti 2008 do të shënohet në kalendarin historik të vendin tonë si data e dytë më e rëndësishme e kombit, pas 28 nëntorit 1912. Pa dyshim, kjo ditë nuk erdhi krejt papritur dhe pa një prapavijë diplomatike të fortë e një lufte të gjatë bisedimesh me vende dhe organizata të tjera. Shpallja e pavarësisë së Kosovës, e mbështetur fort nga SHBA-të, ishte fitore e pastër e kombit shqiptar dhe e rolit diplomatik të shtetit shqiptar në rrugën ku u mbrujt kjo pavarësi, për t’u bërë realitet i pakthyeshëm. Shqipëria, e prezantuar dhe e njohur ndërkombëtarisht si shteti mëmë e Kosovës, arriti të bindë me diplomacinë e saj shtetet e fuqishme dhe organizmat ndërkombëtare dhe evropiane, se nuk do të cenonte integritetin e paqes në rajonin ballkanik. Për të qenë më të qartë, ajo siguroi se nuk do të kishte tentativa për një Shqipëri të Madhe dhe as prishje të marrëdhënieve me fqinjët. Nga ana tjetër, në takimet e bisedimet për çështjen e Kosovës i bëri të qartë botës se çdo zgjidhje tjetër, përveçse pavarësisë, nuk do të ishte në të mirë të Ballkanit. Pavarësia që do shpallej më 17 shkurt në Prishtinë ishte në fakt një opsion i pjekur herët dhe qëndrimet e Tiranës zyrtare kanë qenë të qarta dhe të palëkundura. “Nuk është skenar i preferuar as për Shqipërinë, por nëse kjo është e vetmja alternativë që i lihet Kosovës, rajonit, vendeve që kanë investuar kaq shumë në stabilitetin e rajonit, atëherë është në përgjegjësinë dhe detyrimin moral, jo vetëm të udhëheqësve politikë të Kosovës, jo vetëm të qeverive mike të rajonit, jo vetëm të aleatëve që kanë investuar kaq shumë për paqe dhe stabilitet tetë vjet, por të të gjithë atyre që besojnë në të ardhmen e rajonit dhe në integrimin e rajonit në BE, që të hedhin hapin tjetër”, - citojmë ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, në një deklaratë të bërë vetëm pak ditë para se të mbaronte afati 120-ditësh, që i është lënë në dispozicion Prishtinës dhe Beogradit, për të zgjidhur çështjen e statusit në fund të vitit 2007. Ndërkohë Tirana kishte marrë të gjitha hapat diplomatike, por dhe praktike, që të priste lindjen e shtetit të ri shqiptar. Po në atë intervistë dhënë radios “Evropa e Lirë”, Basha thotë më tej se “Shqipëria ka divertuar, pra ka drejtuar të gjitha burimet e saj njerëzore, diplomatike, por edhe në rrafshet e tjera, drejt përmbushjes së këtij qëllimi, i cili, në veçanti në skenarin e sipërpërmendur, ka komplikimet e veta dhe kërkon një intensivitet të veprimtarisë diplomatike jo vetëm para, por edhe më shumë pas 10 dhjetorit dhe në vazhdim”.

Por puna nuk mbaron këtu. Pas 17 shkurtit, do të shihej roli i vërtetë i vendit tonë në lobingun e fuqishëm që bëri për njohjen e kësaj pavarësie, duke sjellë si rezultante njohjen e saj nga më shumë se 50 shtete. Pothuajse të gjitha institucionet e rëndësishme të shtetit, duke nisur nga Presidenti, Kryeministri dhe kreu i Parlamentit i vunë turet e tyre jashtë vendit në shërbim të këtij lobingu. Ministria e Jashtme, si institucioni përkatës diplomatik, sigurisht kishte peshën kryesore në këtë pikë. Lobingu për njohjen e Kosovës u kthye në një strategji në vetvete për diplomacinë, duke përdorur në funksion të saj qenien e saj në organizatat ndërkombëtare. Përmendim konferencën islamike, ku vendi ynë është anëtar. Ministri i Jashtëm kërkoi nga vendet pjesëmarrëse në këtë konferencë njohjen e Kosovës, duke i njohur këto vende me modelin që përfaqësonte Kosova, shumica të Lindjes së Mesme, të painteresuara drejtpërdrejt në çështjet ballkanike.

Ëndrra e realizuar

Një garanci më shumë për Kosovën e pavarur erdhi vetëm një muaj më vonë, ftesa për anëtarësim të Shqipërisë në NATO. Nga Traktati i Varshavës ku na futi diktatori Enver Hoxha, Shqipëria kishte bërë kthesën e madhe historike, duke merituar një karrige krah aleatëve të NATO-s, aleanca më e madhe ushtarake që prodhon siguri për vendet anëtare dhe interesat e tyre. Një delegacion i lartë shtetëror i përbërë nga Presidenti Topi, Kryeministri Berisha, ministrat Basha e Oketa do të kishin nderin të merrnin këtë ftesë në Samitin e Bukureshtit, i mbajtur më 2-4 prill të këtij viti. Pritet që kjo ftesë të marrë formë zyrtare vetëm një vit më vonë, në pranverë të vitit që vjen. Ndërkohë vetëm pak javë më parë emri “Albania” u shkrua për herë të parë në tryezën e takimit të ministrave të NATO-s, ku Lulzim Basha diskutoi si një anëtar i këtij ministerali për çështjet që shqetësonin sigurinë globale. E pamohueshme në gjithë këtë ngjitje diplomatike është mbështetja e Uashingtonit. SHBA në qëndrimet e saj zyrtare e ka cilësuar Shqipërinë si një aleat të rëndësishëm në Ballkan dhe anëtarësimin e saj si një vlerë për Aleancën.

Lëvizja e lirë

Një prioritet i diplomacisë shqiptare, që ka të bëjë drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve, është liberalizimi i vizave, që pritet të bëhet realitet në vitin që vjen. Por bazat janë hedhur në vitin që po lëmë pas, kur dhe u nënshkrua marrëveshja mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, marrëveshje që u pasua me marrjen e udhërrëfyesit, ku përcaktoheshin dhe detyrat e lëna nga BE në këmbim të këtij liberalizimi. Zyrtarët shqiptarë janë optimistë për rezultatet që do të duken fill pas hedhjes në treg të kartave të identitetit në fillim të vitit që vjen. Në ceremoninë e dorëzimit të udhërrëfyesit në muajin qershor në Bruksel, kryediplomati shqiptar, Basha, tha se “ai reflekton situatën në Shqipëri, rezultatet e arritura nga reformat e ndërmarra dhe vendos objektiva realiste dhe të arritshme në një të ardhme të afërt. Elementët bazë që do të monitorohen nëpërmjet këtij dokumenti janë: siguria e dokumenteve, lufta kundër emigracionit të paligjshëm dhe kriminalitetit të organizuar, ruajtja dhe menaxhimi i kufijve, si dhe çështje që kanë të bëjnë me lëvizjen e personave”. Nga ana e tij, drejtori për Ballkanin, Michael Leigh, e vlerësoi këtë hap si shumë të rëndësishëm dhe si një shenjë të vullnetit politik të BE-së, që njeh dhe mbështet arritjet e Shqipërisë. Ai vlerësoi lart ritmin dhe rezultatet e reformave në Shqipëri, duke veçuar ato që lidhen drejtpërdrejt me liberalizimin e vizave, si dhe me rolin e Shqipërisë si faktor i përhershëm paqeje dhe stabiliteti në rajonin tonë.

Në kuadër të integrimit evropian, ky vit shënoi përmbylljen e ratifikimit nga parlamentet e vendeve anëtare të BE-së të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, duke hapur dritën jeshile për kërkesën e aplikimit si vend kandidat. Siç ka bërë të ditur Kryeministri Berisha, në mënyrë zyrtare pritet që qeveria ta bëjë këtë kërkesë në muajt e parë të vitit 2009, duke e futur Shqipërinë në një stad tjetër të marrëdhënieve me BE-në.

Vizioni për një diplomaci të re

Diplomacia si art i dialogut, edhe pse shihet si një politikë për rezultante në perspektivë, herë pas herë jep dhe zgjidhje të shpejta. Ngërçi i vizave me shtetin fqinj, Maqedoninë, ishte një nga rastet që u zgjidh me shpejtësi dhe diplomaci nga Ministria e Jashtme shqiptare, duke bërë që të mos krijohej një konflikt i panevojshëm diplomatik në Ballkan. Brenda pak javësh pas miratimit nga Kuvendi maqedonas i vendosjes së regjimit të vizave me Shqipërinë, u realizuan disa raunde negociatash mes dy ministrive që patën si rezultante rivendosjen e marrëveshjes për heqjen e vizave. Gjatë këtij ngërçi, diplomacia shqiptare u tregua e kujdesshme të mos e kthente atë në konflikt. Në kuadër të shtrirjes së marrëdhënieve diplomatike, këtë vit mund të përmenden hapja e disa ambasadave në vendet afrikane dhe së fundmi hapja e ambasadës në Indi, një nga vendet më me peshë në Lindje. Gjithashtu, gjatë vitit që shkoi Shqipëria e realizoi kryesinë e Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC), në kushtet kur rajoni i zgjeruar i Detit të Zi, gjithnjë e më shumë, po transformohet në një zonë dinamike zhvillimi.

Në kuadër të një diplomacie sa më produktive, pritet që përfaqësitë diplomatike shqiptare të marrin dimensione të reja në rolin e tyre, duke mos qenë thjesht përfaqësuese të zbehta të Shqipërisë në vendet e tjera, por duke luajtur rol vendimtar në thithjen e investimeve të huaja. Vizionin për një diplomaci ekonomike e mbrojti kreu i Ministrisë së Jashtme në konferencën e fundit të ambasadorëve, ku kërkoi nga diplomatët shqiptarë që të ishin më rezultativë në këtë fushë, si një shërbim i vërtetë që i bëhet vendit. Këtë gjë kërkoi gjithashtu Kryeministri Berisha, i cili e cilësoi të një rëndësie jetike për vendin thithjen e investitorëve të huaj në vend.

Duke sqaruar këtë model të ri pune për diplomacinë, Basha tha se “struktura e re kalon përgjegjësinë për dosjen ekonomike në Drejtorinë e Marrëdhënieve Dypalëshe dhe kështu pranë çdo misioni dhe ambasade, si një fokus dhe përparësi e dorës së parë”. Sipas tij, transformimi dhe zhvendosja e fokusit tek diplomacia ekonomike, nuk do të jetë një proces as i lehtë dhe as i shkurtër, por mbështetja e qeverisë dhe premtimi i shtimit të resurseve në këtë drejtim, është padyshim një angazhim mbi të cilin ne duhet të mbështetemi për të nisur këtë transformim të qenësishëm dhe të domosdoshëm për vendin tonë. Por kjo konferencë shënoi dhe hedhjen e një vizioni të ri politik për një Ballkan pa kufij. Në kuadër të rolit që Shqipëria ka marrë tashmë në rajon, ministri Basha hodhi idenë e një Shengeni Ballkanik. Vizioni i ministrit shqiptar për një Ballkan pa viza nënkupton një Ballkan me ekonomi më të zhvilluar, ku shkëmbimet tregtare mes vendeve kanë më pak pengesa.

Sfidat e 2009-s

Nëse duhet të festojë një dikaster në fund të këtij viti, ai pa dyshim që do të jetë diplomacia. Mbyllja e këtij viti ka shënuar një rezultante pozitive në këtë fushë, duke i dhënë Shqipërisë një vend pranë shteteve të mëdha, një rol gjithnjë në rritje në arenën ndërkombëtare, një emër që përmendet gjithnjë e më shpesh nga liderë botërorë, një votë në aleancën e vendeve më të fuqishme, një perspektivë integrimi që duket se nuk ka më kthim pas. Por data 1 janar 2009 nuk do të jetë një ditë feste, përkundrazi, një ditë pune për të çuar në fund rrugën e nisur. Ky vit do të shënojë ashtu siç shpresohet përfundimin e rrugës për në NATO, ku pritet të bëhet anëtarësimi zyrtar në samitin e pranverës. Kërkesa për aplikimin si vend kandidat në Bashkimin Evropian është gjithashtu një sfidë e madhe, ku do të kërkohen më shumë sforco, më shumë reforma, më shumë “detyra shtëpie”, në mënyrë që ajo të bëhet realitet.

Ajo që presin shqiptarët nga diplomacia është arritja e lëvizjes së lirë të njerëzve, duke shmangur kështu radhët nëpër ambasada, duke hequr dorë nga dhënia e ryshfeteve për të marrë një vizë, duke bërë të mundur që shqiptarët të trajtohen si qytetarë evropianë. Sfida për liberalizimin e vizave është sfida më e fortë e diplomacisë shqiptare dhe basti më i madh për t’u fituar me vetveten.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›