E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rama u ngut me Prokurorinë, nuk do bashkoja votat me Berishën



Lëvizja Socialiste për Integrim akuzoi dje Partinë Socialiste se ka dhënë konsensusin për ligjin e Prokurorisë në këmbim të mbështetjes së mazhorancës për Kodin Zgjedhor. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dje se Rama mund të jetë i shantazhuar nga kreu i mazhorancës, se LSI-ja mund të bashkojë votat me shumicën ditën e hënë në Kuvend dhe të miratojë së bashku me të kërkesat e veta. Meta mori përsipër të garantojë Ramën se nuk do bashkojë asnjë votë me Berishën, ndërsa ai nuk duhet të japë konsensusin për ligjin e Prokurorisë. “Në rast se ndihesh i shantazhuar nga Sali Berisha me kërcënimin, se ai ditën e hënë mund të bashkojë votat me LSI-në, në mënyrë që t’i japë LSI-së përfaqësimin në administrimin e zgjedhjeve, që i takon për shkak të votës së shqiptarëve dhe jo për shkak të dëshirës së LSI-së, duhet të jesh i bindur se LSI-ja nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë, për shkak të integritetit të saj të lartë moral dhe njëkohësisht për shkak të asaj që ka kërkuar që në fillim, që Kodi të ketë një gjithëpërfshirje dhe konsensus maksimal”, - tha Meta. Më tej, Meta deklaroi se në rast se ky është i vetmi shantazh që Sali Berisha bën mbi Ramën, ai duhet të jetë i sigurt që votat e LSI-së nuk bashkohen me ato të Sali Berishës, që LSI-ja të marrë komisionerin të hënën, por as Rama dhe PS nuk duhet t’i japin Prokurorinë e Përgjithshme Sali Berishës. Meta i kujtoi Ramës se menjëherë pasi u miratua Kodi para një muaji, i tha elektoratit të vet se nuk do bashkëpunonte më me Berishën dhe reforma në drejtësi do të bëhej kur socialistët të vijnë në muajin qershor në pushtet. “Në rast se pastaj, ka gjëra të tjera përveç Kodit që ju detyrojnë t’i nënshtroheni Sali Berishës dhe të mos mbani premtimin që bëtë para popullit shqiptar dhe para elektoratit tuaj, një ditë pas miratimit të Kodit, se reformat në drejtësi nuk do t’i bëni me Berishën, por do t’i bëni pasi e majta të fitojë zgjedhjet në qershorin e ardhshëm, atëherë kjo është një çështje tjetër, që duhet ta sqaroni me partinë tuaj dhe me elektoratin tuaj”, - tha kreu i LSI-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›