E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptaro-amerikanët,nuk financojmë një satelit të PS-së



Kërkesa për financim nga ana e kreut të lëvizjes G99 ka marrë përgjigje mohuese nga disa grupe shqiptaro-amerikanësh, të cilët shprehin zhgënjim për ikjen e tij nga një organizatë jopolitike në një lëvizje politike që i shërben PS-së

Shqiptaro-amerikanët refuzojnë të financojnë politikën përtej së majtës e së djathtës. Ky është reagimi i disa grupeve shqiptaro-amerikane ndaj letrës që kreu i G99-ës ka nisur në adresë të tyre ku kërkonte fonde nga 250 deri në 500 dollarë për fushatën elektorale të vitit të ardhshëm. “Standard” disponon përgjigjet nëpërmjet e-mail-it të disa prej shqiptaro-amerikanëve ndaj ftesës që u ka bërë Erion Veliaj. Problemi duket se qëndron tek kalimi i Veliajt nga drejtimi i një organizate jopolitike në një lëvizje politike. Një prej tyre shprehet se më parë, “kur ishte lëvizje jopolitike e ka ndihmuar, por tani që është kthyer në satelit të vogël të Partisë Socialiste, nuk e ndien që duhet të kontribuojë për një parti politike”. Veliaj, në një letër tip, kërkonte ndihmën financiare të shqiptaro-amerikanëve, organizatave me karakter të tillë, duke shpjeguar se vizioni i kësaj lëvizjeje ishte për një për politike të re, përtej së majtës e së djathtës.

Reagimet

Reagimi i parë, i një prej personave që ka marrë letrën e Veliajt, vëren se dhënia e donacioneve është diçka normale, por nuk ndihet rehat që t’i japë donacione çfarëdo organizate politike në Shqipëri.

“Unë e kuptoj që të bësh donacione individuale, është diçka që çdokush mund ta bëjë. Personalisht, ndihem i parehatshëm t’i dërgoj donacione çfarëdo organizate politike në Shqipëri, pavarësisht se çfarë idesh jep. I kam shkruar dhe më parë dhe nuk besoj realisht në kontributet e vogla politike (megjithëse kam votuar për Obamën)”, - shprehet një prej tyre.

Ndërsa një tjetër shkruan: “Për mendimin tim, nuk ka asgjë të keqe sikur pjesëtarë të diasporës të mbështetin financiarisht ose jo një grupim të caktuar politik në Shqipëri”. “Puna ndryshon, - shkruan ai, - kur u kërkohet organizatave, sidomos kur ato janë në vetvete jopolitike. Pra, individualisht, gjithsecili e mendon dhe e gjykon si të dojë, të mbështesë këtë apo atë organizëm politik në Tiranë. Si organizatë u tha mirë këtu që nuk shkon”, - vazhdon më tej mendimi. Një tjetër shqiptaro-amerikan vë vijë paralele mes lëvizjes “Mjaft” dhe G99-ës.

Madje, ai shprehet kundër financimit qoftë edhe me një dollar për asnjë lëvizje politike, të kujtdo krahu qoftë.

“Mjaft” tashmë është një organizatë me objekt të qartë dhe të hapur politik. Nuk e paragjykoj si lëvizje, por ne nuk duhet të mbështesim financiarisht (qoftë edhe me 1 $), asnjë lëvizje politike e cilitdo krahu qoftë”, - shprehet ai.

Një tjetër reagim që duket se jep një mendim më të qartë rreth asaj çfarë mendojnë për G99-ën e partitë politike në tërësi në Shqipëri, është ai ku një tjetër personazh që ka marrë letër nga Veliaj është shprehur se ai si gjithmonë kërkon para. “Unë mendoj që nuk duhet t’i jepen financime. “Mjaft” ishte një organizatë jopolitike dhe ne e kemi ndihmuar, por G99 është parti politike e një satelit i vogël i PS-së dhe ne nuk duhet të kontribuojmë për asnjë parti politike. E lexoja letrën shumë mirë “bla bla bla si gjithnjë kërkon para” edhe në këtë letër”, - shprehet ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›