E Diel, 1 Nëntor 2026

PS jep konsensus për ligjin e Prokurorisë

Marrëveshja/ Pas miratimit të Kodit Zgjedhor, PS-ja jep votën për projektin e qeverisë

Mazhoranca dhe opozita i dhanë fund një debati të ashpër politik prej 8 muajsh për sa i përket ligjit të ri të Prokurorisë. Ndryshe nga atmosfera që ka pasur diskutimi i këtij projekti, dje në Komisionin e Ligjeve kaloi ligji i ri me 16 vota pro dhe asnjë kundër dhe me një vlerësim nga ana e opozitës për projektin e qeverisë. Ditën e hënë, Kodi Zgjedhor do të miratohet së bashku me ligjin e ri të Prokurorisë

Prokuroria do të funksionojë me anë të një ligji të ri, i cili e vendos këtë institucion përpara një realiteti më të përgjegjshëm. Mazhoranca dhe opozita miratuan dje projektligjin për organizimin e Prokurorisë në unanimitet të plotë, ku të 16 deputetët e Komisionit të Ligjeve, 6 nga opozita, i thanë “po” projektit të Ministrisë së Drejtësisë. Risia e këtij projekti qëndron në faktin se prokurorët do të mund të ndiqen me lehtë penalisht në rast se abuzojnë, Ministria e Drejtësisë inspekton punën e Prokurorisë dhe mban një raport në Kuvend mbi konkluzionet e nxjerra si dhe ligji bën një riorganizim të organit të akuzës. Pavarësisht se kryeprokurorja Ina Rama, e ndodhur dje në Komisionin e Ligjeve, kundërshtoi projektin e ri, të gjithë deputetët rrëzuan pretendimet e saj dhe së bashku me opozitën, projekti u vlerësua 180 gradë ndryshe nga konstatimi i kryeprokurores. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, tha se projekti i qeverisë ka reflektuar të gjitha mendimet e misioneve ndërkombëtare. “Nga shqyrtimi i projektligjit dhe nga konsulenca, konstatojmë se projektligji që na ka ardhur për miratim përgjithësisht i ka reflektuar drejt rekomandimet e dy misioneve. Në vlerësojmë se projektligji që ka ardhur do të përmirësojë dispozitat aktuale në ligjin në fuqi, sjell disa risi në kodin ligjor të funksionimit ligjor të Prokurorisë. Ky ligj është në përputhje me Kushtetutën, ka marrë miratimin e institucioneve ndërkombëtare që asistojnë reformën në drejtësi dhe është në pajtim me rregulloren e Kuvendit”, - tha Xhafaj. Njëkohësisht, ministri i Drejtësisë, Enkeled Alibeaj, vlerësoi projektin dhe tha se ndërhyrjet e realizuara janë bërë me anë të një konsulence të zgjeruar dhe duke iu përmbajtur Kushtetutës. “Janë identifikuar më tepër se 10 pika në të cilat në ligjin bazë duhej të ndërhyhej,10 çështje të cilat përshkohen nga e njëjta linjë logjike dhe e njëjta linjë filozofike. Duke u bazuar mbi të gjitha në atë që Kushtetuta parashikon, e cila është përcaktimi i Prokurorisë si institucion i cili në mënyrë ekskluzive ushtron ndjekje penale dhe së dyti, përfaqëson akuzën e gjyqit. Në këtë ligj, në këto ndryshime janë reflektuar në masën më të mirë të mundshme dhe ndryshimet e fundit kushtetuese”, - tha Alibeaj.

Projektligji parashikon që ministri i Drejtësisë paraqet në Kuvend, të paktën një herë në vit, raport me shkrim për inspektimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë, duke vënë në dijeni edhe prokurorin e përgjithshëm. Raporti përmban të dhëna të përgjithshme dhe prokurori i përgjithshëm ka të drejtë të paraqesë në Kuvend mendimin e tij në lidhje me raportin. Mbi bazën e rezultateve të kontrollit, ministri i Drejtësisë, kur është rasti, paraqet rekomandim për marrje mase disiplinore ndaj prokurorit të përgjithshëm. Prokurori i përgjithshëm shqyrton rekomandimin dhe vendos në lidhje me të. Nëpërmjet nenit 18 të projektligjit është bërë shfuqizimi i nenit 36 të ligjit ekzistues, i cili i siguron prokurorit mbrojtjen nga procesi penal. Një formulim i tillë, si në titull, edhe në përmbajtje, është në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese. Sipas një jurisprudence të konsoliduar tashmë nga Gjykata Kushtetuese, imuniteti për një kategori zyrtarësh është i parashikuar në Kushtetutë dhe për pasojë, ligji as nuk mund të heqë dhe as nuk mund të shtojë kategori të tjera me imunitet.

Konstatimi i opozitës: Janë marrë parasysh EURALIUS, OPDAT dhe KE

Rekomandimet e misioneve të huaja në lidhje me ligjin e ri të Prokurorisë janë marrë parasysh dhe një gjë të tillë e konstatoi edhe opozita. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, tha se dy misionet EURALIUS, OPDAT, kanë dërguar letër në Komision dhe argumentojnë se projekti i qeverisë përmban rekomandimet e tyre. Në grupin e punës të hartimit të projektligjit kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të misionit EURALIUS dhe OPDAT. Njëkohësisht, Xhafaj tha se janë marrë parasysh edhe rekomandimet e Këshillit të Evropës në lidhje me këtë projekt. “Konstatojmë se projektligji që na ka ardhur për miratim përgjithësisht i ka reflektuar drejt rekomandimet e dy misioneve”, - tha Xhafaj. Projektligji që po paraqitet për shqyrtim dhe miratim u vlerësua se ka një rëndësi themelore dhe përbën një nga iniciativat më të rëndësishme në fushën e drejtësisë penale. Nëpërmjet tij synohet të forcohet dhe garantohet pozita dhe figura e prokurorit, plotësohet kuadri i përgjithshëm normativ me elementë kyçë të organizimit institucional, si drejtimi, hierarkia, kufizimi i pushtetit, transferimi, ngritja në detyrë, vlerësimi i punës etj. Këto janë aspekte të rëndësishme normative nga të cilat ky organ ka vuajtur në të kaluarën.

Ina Rama kundërshton kontrollin mbi Prokurorinë dhe kufizimin e imunitetit

Kryeprokurorja Ina Rama foli dje përpara deputetëve të Komisionit të Ligjeve dhe argumentoi dy kundërshtitë e saj në lidhje me projektligjin për funksionimin e Prokurorisë. Rama kundërshtoi dy nenet, 18 dhe 28, të cilët shfuqizojnë dy dispozita nga ligji aktual. Neni 18 i vendos prokurorët përpara një përgjegjësie më të madhe, ndërsa për kryeprokuroren kjo u interpretua si një ulje e imunitetit, gjë që mund të sjellë pasoja negative në punën e prokurorëve. “Për mendimin tim, kjo dispozitë është e panevojshme dhe që normalisht do të krijojë një impakt negativ në punën e prokurorëve. Neni ekzistues parashikon që prokurorët nuk mund të ndalohen apo të arrestohen pa pëlqimin e prokurorit të përgjithshëm, përveç rasteve kur kapen në momentin e kryerjes së një vepre penale, pra në kushtet e flagrancës”, - tha Rama. Më pas, ajo kundërshtoi edhe nenin 28, i cili përcakton se ministri i Drejtësisë do të raportojë në Kuvend një herë në vit në lidhje me punën e Prokurorisë, parë nga inspektimet ligjore që bën ministria. “Ky raportim do të shndërrohet në një mënyrë për të involvuar prokurorin e përgjithshëm në një debat politik, publik dhe të panevojshëm, që në thelb cenon dhe prek pavarësinë e organit të akuzës. Normalisht, çdo institucion i vënë në këtë lloj kontrolli do të pranonte që do të ishte shumë më mirë që të ruante një raport shumë të mirë me qeverinë dhe ta kishte gjithmonë në konsideratë këtë gjë, përpara se të merrte çdo hap në punën e tij”, - tha Rama. Kundërshtitë e kryeprokurores nuk u pranuan nga deputetët, të cilët unanimisht votuan pro variantit të qeverisë. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, argumentoi rëndësinë e neneve që kundërshtoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›