E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Duhen promovuar produktet shqiptare bio



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua dje me studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, nga ku u shpreh se produktet shqiptare organike duhet të promovohen më shumë. Për këtë ajo vlerësoi edhe punën e studentëve në lidhje me promovimin e produkteve shqiptare bio. Studentët zgjodhën këtë takim me kryetaren e Kuvendit dhe deputetët e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, për të promovuar disa produkte ushqimore vendase, si mënyrë për të tërhequr vëmendjen e deputetëve dhe qeverisë, në mbështetje të prodhimit bio. Topalli u shpreh se Parlamenti dhe qeveria po tregojnë një vëmendje të veçantë për industrinë dhe prodhimin kombëtar, veçanërisht në sektorin e bujqësisë. “Kuvendi ka pasur ndër prioritetet e punës së tij hartimin dhe miratimin e ligjeve që nxisin produktet vendase si dhe eksportimin e tyre në tregjet rajonale e ndërkombëtare. Një nga çështjet më të diskutueshme nga deputetet në seancë, mbetet zhvillimi i bujqësisë, nëpërmjet politikave që mbështesin prodhimet bio në vend”, - tha kryetarja e Kuvendit, e cila garantoi mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë për projekte të tilla të studentëve edhe në të ardhmen. Biseda mes studentëve dhe deputetëve u përqendrua në promovimin e produkteve shqiptare dhe dhënien e hapësirës së duhur për këto prodhime, brenda dhe jashtë vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›