E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elektoratet socialiste

1 - (S)a pritet te ndryshojnë raportet amerikano - shqiptare pas zgjedhjes se presidentit Obama ? Sa mendoni se mund te ndikoje ky ndryshim i politikave drejtuese ne SHBA në politikën shqiptare ? Po në raport me interesat kombëtare, veçanërisht Kosovën, a mund të pritet ndonjë ndryshim ?

Për këtë çështje gjykoj se nuk mund të flitet qysh tani. Është akoma shpejt. Varet edhe nga konjukturat qe do të krijohen në të ardhmen. Ende nuk kemi një përvijim të detajuar të politikës së ardhshme të jashtme amerikane nga ekipi i ri që do të vijë në janar në Shtëpinë e Bardhë. Ajo që mund të thuhet ndofta paraprakisht, por gjithëmonë me kujdesin e duhur, është se Presidenti Obama, për aq sa kam mundur t’i ndjek fjalimet e tija, ka plan dhe strategji që t’a përqendrojë vëmendjen më shumë te ekonomia, pra te faktorë të brendshëm të shoqërisë amerikane. A do të sjellë kjo një lloj kufiimi në aksionin ndërkombëtar ? Këtë do t’a shohim në javët dhe muajt që do të vijnë. Përpos kësaj ai ka shpalosur një teknikë të re të manifestimit të fuqisë amerikane në botë duke e vënë theksin te dialogu dhe bashkëpunimi me fuqitë e tjera rivale apo partnere sikurse janë Kina, Rusia, Bashkimi Europian, etj. Ndërkaq duhet mbajtur në konsideratë se edhe pritshmëritë e publikut amerikan janë për një përqendrim më të madh në problemet e brendshme, pra për të bërë çfarë është e mundur për të dalë nga një krizë financiare që po trondit të ardhurat familjare dhe sigurinë e jetës të njeriut perëndimor kudo ai qoftë.

Nuk më duket fare se Perëndimi apo Europa po “fluturon”. Ka një stagnacion që shfaqet gjithandej. Popujt kanë halle të mëdha në ditët tona, po përballojnë një nga situatat më të vështira ekonomike qysh prej dhjetra vjetësh. Kanë përveshur mëngët për të dalë që andej. Kanë probleme sociale, humane, financiare, por nuk tuten dhe nuk e nxijnë më shumë se duhet perspektivën e tyre, nuk e bën këtë as qeveria, por edhe as opozitat politike.

Më kujtohet një tregim filozofik i Volterit ku personazhi kërkon të gjejë shoqërinë perfekte, të përkryer, atë pa halle, pa probleme, por nuk arrin t’a gjejë sepse edhe në vendin e mrekullive, atje ku frutat janë varur nëpër pemë dhe nuk i prek njeri, edhe atje pra, lindin probleme të tjera që vijnë nga bollëku. E mira dhe e keqja në këtë botë ekulibrohen. E mira ka të këqiat e veta, e keqja ka të mirat e veta. Bota ekuilibrohet dhe kjo është gjendja normale e saj. Shteti mund të thotë vetëm të mirat, por publiku duhet të kuptojë se sigurisht që ka edhe mangësi. Opozita thotë vetëm të këqiat, por publiku duhet të kuptojë se ajo nuk përmend anët e mira të shoqërisë shqiptare.

Ja një shembull. Shqiptarët hanë tani shumë më mirë se më parë, por disa kanë filluar të ndjejnë kriza apo shenja diabeti dhe kolesteroli. Nuk gjen asnjëherë rehat njeriu. Volteri, ky iluminist i madh, dhe unë e besoj atë, për rrjedhojë, thoshte se njeriu jeton gjithëmonë në botën më të mirë të mundshme, pra në botën që ai meriton me sjelljen e tij, me veprimtarinë dhe energjinë e tij.

Nuk besoj se politika amerikane ndaj shqiptarëve do të ndryshojë apo ka arësye të ndryshojë në thelbin e vet. Kanë investuar në besimin shqiptar që i sheh amerikanët si garantë të çështjes shqiptare në botë dhe kjo, me shumë të drejtë. Nuk ka asnjë arësye t’a rishikojnë këtë strategji. Shqiptarët nga ana e tyre, pavarësisht nga politikat që i kanë udhëhequr, janë treguar luajalë dhe kanë marrë pjesë në aksionin amerikan dhe aleat për një paqe dhe siguri botërore me aq sa kanë mundur, pra me të gjitha forcat e tyre. Po kështu proçesi i pavarësimit të Kosovës gjen një interesim gjeopolitik themeltar në politikën e jashtme amerikane në kushtet kur Ballkani është një sferë gjeografike e tejshkuar nga interesa perëndimore, por edhe ruse, arabe, e do thosha edhe më tej. Pra, edhe këtu nuk besoj se mund të ketë vend për lëkundje apo për ndonjë ndryshim. Nuk besoj se strategjia ushtarake amerikane në këtë pjesë të botës do të ndryshojë. Në politikën e jashtme shtetet e mëdha kanë linja afatgjata, të cilat nuk mund të ndryshojnë nga sensibilitetet politike të ndryshme të partive politike në pushtet.

Sidoqoftë nëse forcohet fryma e dialogut ndërkombëtar, çka në vetvete është diçka e mirë, sepse do të krijonte një botë më të besueshme dhe ndofta më me pak tensione, kjo do të bënte që proçeset ndërkombëtare të ecnin ndofta më gradualisht, më ngadalë, dhe negociimet do të zgjasnin më shumë.

Por, kjo do të varet edhe nga fakti sesi do të reagojnë fuqitë e tjera lidhur me këtë vullnet të ri amerikan për të hyrë në një fazë të re dialogu dhe negocimesh.

Poltika e jashtme e fuqive të mëdha është mbi sensibilitetet e partive apo liderëve në planin e brendshëm. Biles edhe në fuqitë e vogla ndodh të jetë kështu. Po të shohësh politikën e jashtmë të shqiptarëve qysh prej fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë e deri më sot, ajo në linjat logjike themeltare është pothuajse e njejtë pavarësisht formave të ndryshme që merr në kohë të ndryshme : Aleancë me një fuqi të madhe ndërkombëtare për të siguruar sovranitetet në raport me shtetet fqinje me orekse të mëdha e me forca më të mëdha se shqiptarët me një identitet krejt të veçantë dhe të izoluar në Ballkan.

Këtu është domethënës fakti se Presidenti Bush për Kosovën vazhdoi politikën e Presidentit Klinton dhe janë të gjitha shpresat dhe bindjet se Presidenti Obama do të vazhdojë për Kosovën politikën e Presidentit Bush.

Por, e theksoj edhe një herë, që gjithçka do të varet nga rrjedhat e ardhshme ndërkombëtare, të cilat për nga spontaneiteti i tyre, shpesh herë janë të paparashikueshme. Kurse përsa i përket qendrimit ndaj aktorëve politikë shqiptarë, nuk bësoj se do të ketë ndryshime, apo privilegjime, nisur nga programet partiake. Po të shihet programi i Presidentit Obama në fushën ekonomike dhe sociale dhe ai i socialistëve shqiptarë mund të thuhet se ndryshimet janë radikale. Por, në marërdhëniet personale midis elitave politike të dy vendeve mund të ketë edhe pëlqime ose parapëlqime subjektive dhe objektive të ndryshme. Kjo nuk ka të bëjë me spektrin politik. Asnjëherë nuk ndodh që një shtet të ndërtojë marrëdhëniet me shtete të tjera në funksion të thjeshtë të përkatësive politike të partive që janë në qeveri. Kurse parapëlqimet personale ndërmjet elitave janë diçka tjetër. Por, në këtë plan partitë politike shqiptare janë treguar të kujdesshme duke mos u shfaqur publikisht të pozicionuara për këtë ose atë kandidat.

2- Ilir Meta dhe opozita e drejtuar prej tij ka ashpërsuar akuzat ndaj opozitarit tjetër Edi Rama për bashkëpunim me kryeministrin njëherazi edhe shefin e mazhorancës Sali Berisha. Sa vërtetësi gjeni ne këto akuza te zotit Meta ? Ne se po, ku e shihni bashkëpunimin apo aleancën Rama- Berisha ?

Jemi futur në një vit elektoral. Mua më duket se çështjen duhet t’a shohim nga pikëpamja e racionalitetit të veprimeve të aktorëve politikë përsa iu përket synimeve të tyre. Cdo aktor jeton në botën e vet më të mirë të mundshme. Përsëri ju kujtoj Volterin në tregimin e tij të famshëm filozofik Le Monde comme il va. Lidhja socialiste për integrim sigurisht që e ka në platformën e saj që të mbledhë sa më shumë elektorat të majtë, pra ato shtresa të cilat të mbetura disi jashtë dinamikave sociale të vendit, kanë një pamje më kritike ndaj botës. Këto janë shtresat e humbura të tranzicionit, ndërsa përfaqësues të partisë socialiste sepse më duken se kanë një natyrë më brenda unazës së Tiranës që është një zonë e pasur gjithësesi. Unë ndruhem se LSI dhe PS nuk janë në konflikt për shkak kapriçiosh personale të liderëve përkatës, por sepse ka dy lloje elektorati të majtë, pjesët e të cilit mund t’i analizojmë ndonjë herë tjetër. Kemi kohë.

Ka socialistë në zonat rurale apo të periferive urbane, por ka edhe socialistë brenda unazës.

Ka socialistë të varfër, por ka edhe socialistë të pasur.

Ka socialistë të humbur nga reformat, por ka edhe socialistë të integruar mirë në shoqëri.

Ka socialistë me origjina fetare ortodokse, por ka edhe socialistë me origjina bektashi, myslimane apo katolike, ndonëse të gjithë janë laikë.

Ka socialistë të ardhur nga shtresa të paintegruara fort në shoqërinë e dikurshme totalitare, por ka edhe socialistë që kanë qenë disi më të privilegjuar në komunizëm.

Ka socialistë kolektivistë dhe që kërkojnë mbrojtje nga shteti, por ka edhe socialistë që janë individualistë sepse i kanë mundësitë ekonomike.

Ka socialistë që këto vite në opozitë kanë qenë jashtë çdo lloj pushteti, por ka edhe socialistë që edhe përse partia e tyre ka qenë në opozitë, në fakt kanë pasur pushtet a kanë qenë të punësuar diku.

Ka socialistë që militojnë në mënyrë vullnetare dhe shohin me dyshim agjenci të ndryshme të shoqërisë civile, por ka edhe socialistë që kanë lidhje edhe të nëndheshme me agjencitë e pasura të shoqërisë civile.

Ka socialistë më të lidhur me vendin, por ka edhe socialistë më kozmopolitë.

Ka socialistë të ardhur rishtazi në zonat urbane, por ka edhe socialistë ish qytetarë të instaluar prej kohësh në qytete.

3 Këtë javë ambasadori i KE-së Lohan i dorëzoi kryeministrit Berisha raportin e KE për Shqipërinë raporti dominohet nga nje fryme e qarte vlerësimi pozitiv për zhvillimet politike e demokratike si dhe përpjekjet për të arritur standardet e integrimit në BE. Duket qartë një vlerësim i kundërt me atë te opozitës dhe pjesës me te madhe te medieve shqiptare. Si e komentoni një raport kaq kontradiktor midis vlerësimit ndërkombëtar dhe atij te opinionin te brendshëm

Unë nuk marr përsipër të gjykoj sesi e kanë ndërtuar raportin specialistët e Këshillit të Europës. Por, një gjë dihet me siguri edhe po t’a lexosh tekstin : Ky raport është padyshim më së shumti pozitiv. Më shumë pozitiv sesa me vërejtje. Unë kam përshtypjen se Europa është përgjithësisht e kënaqur me zhvillimet në Shqipëri. Shqipëria ka një pozicionim tepër pro-perëndimor në fushën e marrëdhënieve gjeopolitike rajonale dhe më gjerë. Pavarësimi i Kosovës është edhe një sukses për politikën shqiptare. Nënshkrimi i marrëveshjes së asociimit, hyrja në Nato, vizitat e njëpasnjëshme të drejtuesve europianë dhe deklarat e tyre, rezultate në frenimin e trafiqeve, marrja e masave për të ulur nivelet e korrupsionit në administratën publike, etj., sigurisht që shihen me sy të mirë nga Europa. Europa duket se ka ndërmend t’i heqë vizat në vitin 2009 për shqiptarët dhe ky fakt flet. Ka buxhete më të mëdha në dispozicion të shoqërisë për të investuar. Jeta është më e sigurt. Shqiptarët i janë futur punës me jo pak vrull. Investimet në rrugë dhe vepra publike janë të ndjeshme. Në krahasim me dhjetë vjet më parë do të thosha se shqiptarët jetojnë padyshim më mirë se më parë. Për shumë arsye. Dhe të mos harrojmë se jetojmë në kushtet e një krize financiare botërore të fuqishme. Sidomos në zonën rurale njerëzit punojnë më shumë. Shihni vilat që ndërtohen atje. Shihni kopshtijet e mbjella dhe jeshillikun. Turistë ka pasur shumë më tepër sivjet. Edhe në kushtet e rritjes së çmimeve të karburanteve, shqiptarët nuk hoqën dorë autoveturat e tyre. Ka dinamikë jeta në Shqipëri.

Po probleme a ka ? Pa fund, sigurisht. Nuk kam lënë rast pa i përmendur. Sikurse edhe në vende të tjera të botës. A ka përgjegjësi administrata publike për to ? Patjetër që ka pjesën e vet të përgjegjësive. Por, sa kohë që nuk duket ende një ligjërim politik i qartë që të prodhojë alternativë intelektuale, të metat e sotme shfaqen paradoksalisht si fatalitet. Volteri përsëri do të zhvillonte atë idenë e tij që përmenda më sipër se megjithatë njeriu jeton përherë në botën më të mirë të mundshme.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›