E Shtunë, 31 Tetor 2026

2010 Formula 1, Vettel në pole-position Shumaker i 7-i

Autori i Lajmit: Redaksia

Bahrein - Ka startuar sezoni i ri i Formulës 1, me provat zyrtare të çmimit të madh të Bahreinit. Do të jetë Sebastian Vettel ai që do të nisë këtë garë të parë nga Pole Position, falë kohës më të shpejtë që ka regjistruar në minisesionin e tretë të këtyre provave. Piloti gjerman i skuadrës Red Bull ka qenë më i shpejtë në këtë fundjavë duke dominuar thuajse të gjitha minisesionet e provave zyrtare. Menjëherë pas tij janë renditur dy pilotët e skuadrës “Ferrari”. Në linjën e parë do të startojë garën braziliani Felipe Masa që regjistroi kohën e dytë më të shpejtë e menjëherë pas tij debutuesi me Ferrari, Fernando Alonso i cili ka një kohë rreth gjysmë sekonde më të ngadaltë se vendi i parë.
Përkrah spanjollit në linjën e dytë do të jetë një rival i drejtpërdrejtë me të, Luis Hamilton me McLaren, për ti lënë radhën në linjën e tretë Niko Rosberg me Mercedes dhe makinës tjetër Red Bull të Mark Veberit. Vetëm në vendin e shtatë gjendet Mikael Shumaker, emri më i përfolur i këtij sezoni. Shtatë herë kampioni i botës ka bërë një paraqitje të mirë edhe në provat e lira, pavarësisht se ndodhet pas shokut të tij të skuadrës. Ndërkohë që 10-shen e parë të më të shpejtëve të provave zyrtare e vazhdon Jenson Baton, kampioni i botës në fuqi, i cili regjistroi kohën 1 minutë 55 sekonda e 672 të mijtat në debutimin e këtij sezoni me McLaren. Ndërkohë në vendet e fundit gjenden emrat e rinj të sezonit 2010, mes tyre pilotë debutues e të rikthyer. Kanë rezultuar një duel i hapur këto prova zyrtare, të cilat kanë dhuruar menjëherë spektakël që duket të jetë vetëm fillimi në prag të garës së Bahreinit që premton akoma më shumë emocione, duke filluar nga ora 13:00 ditën e sotme.

2010

Sezoni i këtij viti bashkon në pistë 7-herë kampionin e botës, Mikael Shumaker (për herë të fundit në vitin 2004), por e veçanta është se skuderia britanike Meklaren ka brenda saj dy kampionët e fundit të botës, Luis Hemiltonin (kampionin e vitit 2008, njëherësh edhe i vetmi me ngjyrë) dhe Xhenson Batonin (kampionin e vitit 2009). Ndërkohë që Shumaker garon për një skuderi gjermane, te Ferrari piloton spanjolli Fernando Alonso, dy herë kampion i botës me skuderinë franceze Reno, në vitin 2005 dhe 2006. Gara është e hapur. Sipas bosit të Formula 1, Bërni Eklestonit, sezoni 2010 do të jetë viti në të cilin Xhenson Baton do të tentojë të vërtetojë me çdo kusht se është më i aftë se Luis Hemiltoni. Kampioni i botës së vitit 2008 me Meklaren do të garojë përkrah me kampionin e botës së vitit 2009 me Braun GP. “Xhenson është Xhensoni. Një kampion madhështor, më se i merituar, por tani duhet ta shohim kur të garojë në krah të Hamiltonit”. Padroni 79-vjeçar i F1 flet pozitivisht për të gjithë: “Fernando Alonso ka një karakter shumë spanjoll. Është i aftë, i besueshëm dhe një pilot fantastik”. Bosi i Mercedesit, Ros Braun, ka besim se skuadra e tij do të jetë më e shpejtë kur të vijë gara e Bahreinit, për më tepër që ka Mikael Shumakerin, një ujk të vjetër. “Me Mikaelin dhe Nikon besoj se sezonin do ta gjejmë në vendin dhe nivelin e duhur, duke luftuar për fitoret e garave”. Ish-kampioni i botës, Niki Lauda (1975, 1977, 1984), tha: “Kur Mikael garon në pistë, ai jep maksimumin. Asnjë nuk është në gjendje të mbajë ritmin e tij”. Nga ana tjetër, shefi i Ferrarit, Stefano Domenikali, shtoi se Ferrari do të jetë pjesë e skuadrave të kreut, teksa beson shumë te aftësitë e Felipe Masës dhe Fernando Alonsos. “Paraqitjet e skuadrave të mëdha janë të përafërta, një gabim i vogël mund të kushtojë shumë, duhet dhënë maksimumi gjatë gjithë kohës”. Spanjolli i Ferrarit, Fernando Alonso, e ka të qartë detyrën e tij në një prej skuadrave më të dashura në botë: “Titulli? Çdo vit kampionati është më i vështirë, por nga ana tjetër nuk mund ta mohoj se është ekzaltues. Jam i vetëdijshëm që nuk do ta kem aspak të lehtë, por unë do të zbres në pistë me synimin për të arritur gjithnjë fitore. Konkurrenca këtë sezon do të jetë edhe më e fortë se herët e tjera, pasi garojnë shumë kampionë bote”.

Radha e nisjes në garën e së dielës në 13:00

1 Vettel (Red Bull) 1:54.101
2 Massa (Ferrari)
3 Alonso (Ferrari)
4 Hamilton (McLaren)
5 Rosberg (Mercedes GP)
6 Vebber (Red Bull)
7 Schumacher (Mercedes GP)
8 Button (McLaren)
9 Kubica (Renault)
10 Sutil (Force India)

Ky lajm është publikuar: 14/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›