E Shtunë, 31 Tetor 2026

Londër, Tuneli Brunel hap dyert pas 145 vjetësh për publikun

Autori i Lajmit: Redaksia

Qytetarët britanikë dhe jo vetëm, do të kenë mundësi për herë të parë pas 145 vjetësh të shikojnë tunelin e famshëm Brunel që shtrihet nën lumin Tamiz që është konsideruar dhe si mrekullia e tetë e botës, pasi është një vepër mahnitëse e inxhinierisë së epokës viktoriane. Tashmë, i hapur prej dy ditësh, “Brunel Tunnel” do të ketë dhe muzeun e tij. Ai është ndërtuar nga vitet 1825-1843 nga Marc Brunel dhe djali i tij, Isambard, dhe është i pari tunel në botë që është ndërtuar nën një lumë të lundrueshëm. Menjëherë pas përfundimit të tij, tuneli i cili ndodhet 75 këmbë nën sipërfaqen e lumit, u shndërrua në një qendër tregtare dhe zbavitëse të viteve 1850. Ai është i gjatë 1 kilometër dhe projekti i Brunelit arriti ta ndriçonte të gjithin. Më shumë se gjysma e kryeqytetit anglez ka shkelur veprën madhështore të Brunelit, ndër të cilët dhe vetë Mbretëresha Viktoria. Ai u mbyll për publikun në vitin 1869, ndërsa u shndërrua në një stacion hekurudhor që lidhte Londrën Lindore deri në vitin 2007. Edhe në projektin aktual ai do të vazhdojë të përdoret si linjë kryesore e metrosë së re të kryeqytetit britanik. Por Brunel do ti mbyllë sërish dyert e tij për publikun pas 48 orësh, në përfundim të ceremonisë festive të organizuar në praninë e vetë kryebashkiakut të Londrës. Drejtori i Muzeut Brunel, Robert Hulse, thotë se tuneli nuk është vetëm i pari tunel i qarkullueshëm në botë, por ka dhe vlerat e tij historike, pasi përfaqëson epokën viktoriane të Britanisë. Për herë të parë tuneli u projektua, por që nuk u përdor kurrë nga karrocat me kuaj dhe u kërkua si një urë lidhëse mes Tamizit verior dhe jugor. Për ndërtimin e tij tentuan shumë inxhinierë përpara përpjekjes së Marc Isambard Brunel, por që të gjithë dështuan.

Ky lajm është publikuar: 14/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›