E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kore e Jugut, Kisinger probleme me stomakun, shtrohet në spital

Autori i Lajmit: A.D

Seul - Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henri Kisinger, është shtruar në spital, pasi ndjeu dhimbje të forta në stomak. Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare, sipas të cilave 86-vjeçari ndodhet në spitalin “Severance” të Seulit. Kisinger ndodhet në kryeqytetin koreanojugor në kuadër të një forumi mbi sigurinë, ku u takua me presidentin Lee Myung Bak. “Ish-sekretari amerikan i Shtetit është shtruar në spital në Seul ditën e shtunë, pasi u konstatua një virus në stomak”, - tha një doktori i këtij spitali për televizionin CNN. “Po i hidratojmë stomakun, ndërsa ushqimin po ia mbajmë poshtë”, - tha dr. John Linton nga spitali “Yonsei Severance”. Gjithsesi, ai hodhi poshtë zërat se shëndeti i diplomatit amerikan ishte i rënduar. “Të gjitha këto shenja janë krejt normale. Ne shpresojmë që ai të dalë nga spitali ditën e nesërme, ndërsa po i kushtojmë vëmendjen maksimale”. Agjencia zyrtare e lajmeve në Korenë e Jugut, “Yonhap” raportoi se Kisingeri 86-vjeçar ishte ndjerë keq përpara një takimi për sigurinë në kryeqytetin korean. Ai kishte takuar ditën e premte presidentin Lee Myung-Bak, ndërsa kishte mbërritur në Seul që prej së mërkurës. Një ekip i specializuar mjekësh i bënë disa kontrolle dhe panë që nuk kishte asgjë për tu shqetësuar, - thanë burime të tjera nga spitali. Ka shumë të ngjarë që Kisinger të qëndrojë dhe gjatë natës në spital për të qenë nën kujdesin e mjekëve, të cilët shprehen se, nëse gjithçka do të shkojë mirë, ai do të dalë sot. Kisinger, i cili tashmë drejton një firmë konsultimi, ka shërbyer si sekretar i Shtetit nën presidencën Nikson dhe Ford. Ai ka marrë dhe çmimin Nobel për Paqe në vitin 1973 për shkak se negocioi dhënien fund të konfliktit SHBA-Vietnam. Kisinger i është nënshtruar një bajpasi të trefishtë koronar më 1983 dhe një angjioplasti në Nju-Jork 5 vjet më parë.

Ky lajm është publikuar: 14/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›