E Diel, 1 Nëntor 2026

204 foshnjave të lindura në 2010 u mohohet prej 2 vitesh shpërblimi i qeverisë

Janë rreth 204 foshnja që kanë lindur për vitin 2010 të cilat nuk kanë marrë shpërblimin e qeverisë prej 5 000 lekësh. Sipas një vendimi nga Këshilli i Ministrave  prindërit të cilët sjellin në jetë një foshnje, i cili ka lindur të dalë në muajin maj 2009, e më tej do të shpërbleheshin

me 5000 lekë nga qeveria. Por mesa duket qeveria e ka harruar këtë premtim të bërë 2 vjet më parë pasi në gjendjet civile ku prindërit regjistrojnë fëmijën dhe pajisen me certifikatën përkatëse, nuk e marrin  këtë shpërblim, që prej një viti, pasi nëpër bashki prej dy vitesh nuk ka mbërritur fondi nga ministria e Brendshme. Kryetarja e njësisë bashkiake nr 5  Jeta Seitaj është prononcuar ditën e djeshme se pranë gjendjes civile që aho drejton njësi që ka edhe numrin më të madh të banorëve në kryeqytet,  kanë ardhur vetëm dy herë fonde për shpërblimet e foshnjave të porsalindura dhe kjo vlerë kap shifrën e 400 mijë lekëve. Sipas Seitaj, kjo shumë shpërblen vetëm 80 lindje nga rreth 650 lindje që regjistrohen mesatarisht çdo vit pranë minibashkisë nr.5. Unë mund tju them se vetëm për vitin 2010, aktualisht janë 204 lindje të reja të cilat nuk kanë marrë shpërblime pasi nuk disponojmë asnjë fond ka thënë ditën e djeshme kryetarja e njësisë nr 5 Seitaj. Sipas saj  për vitin 2009 kemi në pritje 600 emra të cilat sipas vendimit të qeverisë duhet të shpërblehen me 5 mijë lekë të reja, thotë Seitaj. Bonusi i vendosur nga qeveria ka afat 2 mujor brenda të cilit prindërit mund të paraqiten për ta tërhequr që nga momenti i regjistrimit të fëmijës. Sipas kryetares së minibashkisë nr. 5, mungesa e fondeve ka shkaktuar irritim tek prindërit, të cilët pas regjistrimit, gjithmonë kërkojnë të marrin bonusin sipas vendimit të qeverisë. Gjithmonë kemi probleme me prindërit të cilët vijnë me certifikatën e lindjes së foshnjës së tyre e kanë të drejtë të kërkojnë bonusin, por nuk e dinë se ne skemi lekë, dhe në momentin kur mbërrijnë fondet atëherë nisim dhe shpërndarjen e tyre, shprehet Seitaj. Sipas informacioneve tona, ky problem është i njëjtë në të gjitha njësitë bashkiake të Tiranës dhe të rretheve. Lista e foshnjave të porsalindura po rritet çdo ditë me emra të rinj, ndërsa fondet nga qeveria mbeten vetëm në letër.

Last Updated on E Premte, 30 Prill 2010 20:59

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›