21 janari, Prokuroria dorëzon në gjykatë 10 demonstruesit e parë
Tiranë- Demonstratat e dhunshme të 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër persona dhe u plagosën disa të tjerë, pritet të përballen me gjykatën të paktën 10 demonstrues që akuzohen për kundërshtimin e punonjësve të policisë. Nga 140 persona të evidentuar si pjesë e grupit që ka goditur punonjësit e policisë në detyrë, organi i akuzës ka përfunduar hetimet ndaj 10 prej tyre, dosje këto që do t’i përcillen Gjykatës së Tiranës brenda kësaj jave. Burime të rezervuara thanë se kanë përfunduar veprimet e nevojshme procedurale dhe hetimore për të paktën 10 demonstrues, të cilët janë marrë të pandehur për demonstratën e dhunshme të 21 janarit. Të gjithë personat, banorë të qytetit të Tiranës dhe zonave përreth, sipas hetimit, janë evidentuar nga pamjet filmike të marra nga policia apo media të ndryshme, si të përfshirë në veprime të dhunshme. Të 10 personat, sipas prokurorisë kanë qenë pjesë e një grupi prej rreth 140 personash, që kanë kundërshtuar me dhunë, apo kanë goditur punonjësit e policisë që ndodheshin me shërbim pranë Kryeministrisë më 21 janar. Të gjitha veprimet e kryera nga grupi prej 10 personash janë dokumentuar tashmë nga policia dhe prokuroria, ndërsa formalisht dosjet do t’i përcillen Gjykatës së Tiranës, për nisjen e procesit gjyqësor ndaj të pandehurve. Akuza e ngritur ndaj të pandehurve është ajo e kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë në detyrë, fakt ky i provuar jo vetëm nga pamjet filmike, por edhe nga dëshmitë e policëve të dëmtuar. Në këtë turmë njerëzish, që dyshohet se ka ushtruar veprime të dhunshme ndaj punonjësve të policisë, apo dëmtuar automjete të ndryshme, dyshohet se janë përfshirë rreth 140 persona, të cilët po evidentohen rast pas rasti nga grupi hetimor, i caktuar posaçërisht për zbardhjen e këtyre ngjarjeve. Deri tani, organi i akuzës ka dokumentuar implikimin në veprime të dhunshme ndaj të paktën 10 personave, ndërsa ka vendosur të veçojë çështjen për pjesën tjetër të atyre që janë nën hetim, numri i të cilëve shkon në rreth 130 persona. Tashmë grupi i hetimit, ka përqendruar punën në hetimin e të dyshuarve të tjerë, që sipas referimeve të policisë gjyqësore, janë përfshirë në veprime të dhunshme. Për personat e tjerë, që kanë qenë pjesë e demonstratës së opozitës më 21 janar, burimet thanë se roli apo veprimtaria e tyre do të vlerësohet rast pas rasti, në bazë të provave dhe fakteve që janë mbledhur nga hetimi. Paralelisht me hetimin e dhunës së ushtruar në demonstratën e opozitës, ku mbetën të plagosur dhjetëra punonjës policie, një tjetër grup hetimor vijon hetimet për vrasjen e katër personave dhe plagosjen me armë zjarri të shtatë të tjerëve. Nga hetimet e deritanishme, grupi i hetuesve në bashkëpunim edhe me ekspertët amerikanë që po asistojnë hetimet, kanë mundur të zbardhin vetëm vrasjen e Ziver Veizit, i cili u qëllua pak metra larg kryeministrisë.