E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari, Prokuroria merr në Gardë dhjetëra pistoleta 9 mm

09/03/2011  Kërkohet krahasimi i tyre me predhat dhe gëzhojat që janë gjetur në vendin e ngjarjes

TIRANE-Pas tërheqjes nga magazinat e Gardës të rreth 76 automatikëve të tipit MP-5, radha për ekspertim balistik i ka ardhur pistoletave të disa efektivave të Gardës së Republikës. Anëtarë të grupit hetimor që po hetojnë dosjen “21 janari” mësohet se kanë tërhequr nga reparti elitë dhjetëra pistoleta 9 mm, të cilat janë të së njëjtit kalibër me plumbat që janë sekuestruar në vendin ku ndodhi përleshja e dhunshme mes efektivave të Gardës dhe demonstruesve të Partisë Socialiste. Tërheqja e këtyre pistoletave vjen pas dyshimeve të prokurorëve se, plumbat e gjendur në vendin e ngjarjes, por dhe në trupat e dy viktimave Faik Myrto dhe Aleks Nikaj, ka shumë mundësi të jenë qitur nga pistoletat e Gardës. Për të shuar çdo dyshim që është ngritur lidhur me këtë ngjarje, Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar kryerjen e ekspertimit balistik dhe krahasues të dhjetëra pistoletave, të cilat përdoren nga disa efektivë të këtij reparti. Aktualisht, ekspertë të laboratorit kriminalistik të Policisë Shkencore janë duke kryer dhjetëra veprime hetimore, duke krahasuar plumbat dhe gëzhojat me karakteristikat dalluese të këtyre pistoletave. Dy javë më parë organi i akuzës vendosi të sekuestrojë nga Garda e Republikës plot 25 automatikë të tipit turk MP-5, të cilët ashtu si pistoletat e tërhequra së fundmi i janë nënshtruar procedurave të ekspertimit balistik. Gjatë këqyrjes së armëve mësohet se janë duke asistuar dhe ekspertë amerikanë të FBI-së, të cilët së bashku me specialistët shqiptarë janë duke dokumentuar të gjitha detajet dhe karakteristikat e armëve të Gardës së Republikës. Shpresohet që pas përfundimit të ekspertimit Prokuroria të bjerë në gjurmët e autorëve të tjerë që dyshohet se kanë kryer katër vrasjet dhe 7 plagosjet në demonstratën e dhunshme të 21 janarit. Aktualisht, Prokuroria ka prova bindëse vetëm për një vrasje, atë të Zivër Veizit ku ka arrestuar gardistin Agim Llupo, ndërsa për sa i përket tre vrasjeve të tjera si Faik Myrtos, Aleks Nikaj dhe Hekuran Dedës, organi i akuzës ende ska drejtuar gishtin në asnjë prej efektivave të Gardës. Pas ekspertimit të plotë të armëve të Gardës dhe analizimit të gjithë provave të administruara në dosjen “21 janari”, ku përfshihet edhe marrja e të gjitha dëshmive, grupi i hetimit pritet të dalë në një konkluzion përfundimtar mbi këto tre vrasje.

Lirimi i tre gardistëve

Pas lirimit nga qelia të gardistëve Gëzim Ahmetaj, Sadik Çela dhe Mark Nikolli Prokuroria e Apelit ka vendosur të çojë tre gardistët e liruar në Gjykatën e Lartë, ku do i kërkojë kësaj të fundit rikthimin e tyre në burg. Burime pranë akuzës thanë se rekursi në Gjykatën e Lartë, pritet të përpilohet menjëherë pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila vendosi të lirojë nga qelia tre efektivat e Gardës që Prokuroria i kishte arrestuar si autorë të dyshuar në vrasjet e katër demonstruesve të PS-së

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›