E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bum kërkesash në gjykatë për përgjimin e shtetasve

09/03/2011  Deda: Duhet të ndryshojë K.Pr.P

TIRANE-Gjatë vitit 2010 Prokuroria ka rritur ndjeshëm numrin e kërkesave për përgjimin telefonik dhe ambiental të personave që dyshohen se janë të implikuar në një vepër penale. Janë plot 840 kërkesa përgjimi ku Gjykata e Krimeve të Rënda ka autorizuar Prokurorinë të kryejë përgjimin dhe filmimin e personave të dyshuar. Një fakt i tillë u evidentua gjatë zhvillimit të analizës njëvjetore të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku kryetarja e komanduar Etleva Deda ka pohuar se për një vit veç përgjimeve janë shqyrtuar edhe 22 kërkesa për sekuestrim të aseteve kriminale. Por ajo që mbetet shqetësuese është mospërfundimi ose tejshtyrja e seancave gjyqësore ku shkak sipas Dedës mbetet mungesa e avokatëve. Gjyqtarja Deda ka theksuar se duhet të ndryshohet ligji për avokatinë dhe Kodi i Procedurës Penale, me qëllim dhënien fund të fenomenit të shtyrjes së proceseve gjyqësore, që kohët e fundit po kthehet në modë. Kryetarja e komanduar nënvizoi se gjatë vitit që kaloi në Gjykatën e Krimeve të Rënda janë regjistruar 1413 çështje. Ndërsa krahasuar me një vit më parë vihet re një rritje e kërkesave për përgjim. Sipas kryetares Deda, gjatë këtij viti kjo gjykatë ka shqyrtuar rreth 840 kërkesa të kësaj natyre, ose 257 më shumë se viti 2009. Ndërkohë që sipas saj vepra më e gjykuar është ajo e trafikut të lëndëve narkotike, ku më së shumti bien në sy rastet e trafikimit të hashashit në Greqi dhe Itali. Ndërsa pak çështje, flasin për trafikimin e drogave më të shtrenjta si kokaina dhe heroina, lëndë narkotike këto që sipas Departamentit Amerikan të Shtetit kalojnë transit në Shqipëri, duke mos u kapur nga autoritet ligjzbatuese vendase. Gjithashtu në këtë analizë është zhvilluar edhe ajo e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, ku kryetari i saj Gjovalin Pernoca ka pohuar se gjyqtarët e këtij organi kanë nevojë për mbrojtje kur ata delegohen për gjykim në gjykata të tjera. Në këtë analizë ka qenë i pranishëm nga KLD-ja anëtari i saj Besnik Imeri, si dhe drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Olsian Çela.

Tabela

840 Kërkesa përgjimi

257 Më shumë se vjet

22 kërkesa për sekuestrim

1413 çështje të regjistruara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›