21 janari, hetim Gardës për 5 plagosje

Pamje nga vrasja e Ziver Veizit më 21 janar
Hetimi, të gjithë të lënduarit kanë plagë tejshpuese, asnjë predhë e armëve që i goditën nuk është gjetur
Prokuroria: I lënduari i gjashtë iku nga spitali pa u identifikuar
Garda e Republikës po hetohet nga Prokuroria për plagosjen e pesë personave në demonstratën e 21 janarit. Deri në fazën aktuale të hetimit, kur është ngritur akuzë për vrasjen e Ziver Veizit dhe të Faik Myrtajt prokuroria pohon se ka dokumentuar edhe plagosjen me armë zjarri të pesë personave. Katër prej të plagosurve janë qytetarë që merrnin pjesë në protestë apo që ndodheshin aty si kureshtarë, ndërsa i plagosuri i pestë është gazetari Fatos Mahmutaj. Nga burimet e Prokurorisë mësohet se numri më i madh i të plagosurve ndodhej në bulevard, në pjesën mes Piramidës dhe Kullave Binjake, në zonën ku ndodhej edhe Hekuran Deda në momentin e vrasjes. Sipas burimeve nga grupi hetimor, pesë të plagosurit kanë marrë plagë të ndryshme tejshpuese në gjymtyrë, duar ose këmbë dhe predha e asnjërit prej tyre nuk është gjetur. Në mungesë të predhave që do të përcaktonin me ekspertizë armët që kanë kryer plagosjen e pesë personave, prokuroria ia faturon Gardës së Republikës këto lëndime, duke marrë në konsideratë projeksionin e qitjeve, pra drejtimin e plumbave si dhe dëshmitë e vetë të dëmtuarve. Disa prej tyre mësohet se kanë thënë se janë plagosur nga plumba apo cifla të predhave që fluturuan në ajër rreth orës 16:00 të 21 janarit, pasi efektivë të Gardës së Republikës qëlluan me armë për shkak të hapjes së derës metalike të Kryeministrisë.
I plagosuri i gjashtë
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, në një deklaratë për median më 25 janar, pas hetimeve katërditore mbi ngjarjen, deklaronte një vit më parë se ishin shtatë të plagosur. Siç jeni në dijeni lidhur me ngjarjen e ndodhur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në datën 21 janar, për shkak të së cilës pati tre shtetas të vrarë me armë zjarri (Aleks Nika në këtë kohë ishte plagosur, vdiq tri javë më pas në Turqi), shtatë shtetas të plagosur me armë zjarri si dhe shumë të plagosur me mjete të tjera, ndër të cilët 36 punonjës policie, 25 civilë si dhe dëme të ndryshme materiale, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranës ka filluar hetimet duke regjistruar procedimet penale përkatëse, deklaroi Ina Rama më 25 janar 2011 në një konferencë të përbashkët me ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu. Ndërkohë, nga verifikimet përfundimtare të grupit hetimor në komisariatet e policisë dhe në spitale, rezultojnë gjashtë të plagosur, por njëri prej tyre, një 18-vjeçar, nuk është arritur të identifikohet. Ky person është paraqitur në spital dhe pasi ka marrë mjekimet e rastit, është tërhequr nga familjarët pa u identifikuar dhe ende pa u evidentuar nga policia. Më pas ky person nuk është arritur të gjendet, ndërsa pesë të plagosurit tjerë janë identifikuar dhe janë marrë në pyetje.
Ekspertiza për vrasjet
Me anë të ekspertizave shkencore të kryera në Shqipëri dhe në SHBA, Prokuroria ka ngritur deri tani akuzë zyrtare për dy vrasjet e 21 janarit. Sipas ekspertizës së kryer në Policinë Shkencore në Tiranë, arma e gardistit Agim Llupo ka vrarë shtetasin Ziver Veizi. Ekspertiza e kryer në datën 5 janar 2012 gjeti se pistoleta 9 mm e Ndrea Prendit, një Beretë, kishte vrarë shtetasin Faik Myrtaj. Dy zyrtarët e Gardës janë vënë nën akuzë për këto ngjarje.
TRAZHGIM SOKOLAJ