Kuvendi, PD-PD miratojnë heqjen e imuniteteve

Mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore
Doshi, Balla e Baraj shmangin Këshillin e Rregullores
Kuvendi ka miratuar heqjen e imunitetit për tre deputetët e Partisë Socialiste, Tom Doshit, Taulant Ballës dhe Besnik Barajt. Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit i ka dhënë dje autorizimin Prokurorisë së Përgjithshme për të hetuar tre deputetët dhe në këtë mënyrë duke ia kaluar seancës plenare të se enjtes votimin final të heqjes së imunitetit. Në mbledhjen e djeshme, deputetët e PS-së, Doshi, Balla dhe Baraj, nuk kanë pranuar të japin qëndrimin e tyre në Këshillin e Rregullores dhe Imunitetit lidhur me kërkesën e Prokurorisë, duke specifikuar në shkresat e tyre se do të mbrohen në seancën e së enjtes. Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, neni 118, pika 2, deputetët kishin të drejtë të paraqisnin qëndrimin e tyre lidhur me kërkesat e prokurorit të Përgjithshëm për heqjen e imunitetit dhe dhënien e autorizimit për ndjekje penale. Në fakt, deputetët kanë paraqitur një letër, që për të tre është e njëjta letër, të cilët shkruajnë se në seancën plenare do të japin shpjegimet e tyre, deklaroi kryetarja Topalli. Kryetari i Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, deklaroi se opozita dhe vetë deputetët e saj do të votojnë pro heqjes së imunitetit për ti hapur rrugë hetimeve të ngjarjeve të 21 janarit. Deputetët kanë të drejtë, ose me shkrim ose me gojë, të paraqesin qëndrimin e tyre. Deputetët i kanë dhënë dakordësinë e plotë Këshillit të Rregullores dhe Imuniteteve që të votojnë pro heqjes së imuniteti të tyre. Kjo është esenca e shkresës, theksoi Ruçi. Në fund të mbledhjes, Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit ngarkoi deputetët Viktor Gumi dhe Damian Gjiknuri të hartojnë raportin i cili do të kalojë për miratim seancën e ardhshme plenare. F.B
Letra e Doshit, Bares dhe Ballës
Në shkresën tuaj, të datës 22.01.2012, jam njoftuar të paraqitem në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve për të marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj kërkesë. Me anë të kësaj shkrese, ju bëj me dije se pranoj heqjen e imunitetit parlamentar dhe jam i gatshëm ti nënshtrohem procedimit penal nga organi i Prokurorisë. Qëndrimin tim për këtë çështje do ta bëj publik në seancën plenare të Kuvendit, kur do të shqyrtohet kërkesa.