E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari, merren 36 pistoleta të Gardës

01/04/2011  Prokuroria, kërkesë të dytë Gardës për dorëzimin e pistoletave. Komanda vë në dispozicion 36 “Bereta” 9mm

Përfundon ekspertiza për 32 armët e para, asnjëra prej tyre s’ka vrarë demonstruesit më 21 janar

TIRANE-Zbulimi i armëve që qëlluan për vdekje katër demonstruesit më 21 janar ka shtyrë grupin e hetimit të tërheqë nga magazinat e Gardës së Republikës dhe 36 pistoleta të tipit “Bereta” 9mm. Vendimi është marrë dy ditë më parë, ku pas përfundimit të ekspertizave të 32 pistoletave të para, hetuesit e kanë konsideruar të domosdoshme kryerjen e ekspertizës dhe për pistoletat e tjera që mendohet se janë përdoruar nga efektivat e gardës gjatë demonstratës së 21 janarit. Armët e brezit janë administruar sipas procedurave ligjore dhe më pas i janë dorëzuar Institutit të Policisë Shkencore, nga ku pritet që shumë shpejt të fillojë ekspertimi balistik i të gjitha pistoletave. Mësohet se kësaj procedure i kanë dhënë “ok” edhe avokatët mbrojtës të gjashtë të akuzuarve, të cilët kanë firmosur për kryerjen e ekspertizave balistike të pistoletave që janë tërhequr nga Garda e Republikës. Tërheqja e këtyre pistoletave vjen pas dyshimeve të prokurorëve se, plumbat e gjendur në vendin e ngjarjes, por dhe në trupat e dy viktimave Faik Myrto dhe Aleks Nikaj, ka shumë mundësi të jenë qitur nga pistoletat e Gardës. Aktualisht, ekspertë të laboratorit kriminalistik të Policisë Shkencore janë duke kryer dhjetëra veprime hetimore, duke krahasuar plumbat dhe gëzhojat me karakteristikat dalluese të këtyre pistoletave. I gjithë procesi është duke u asistuar nga ekspertë amerikanë të FBI-së, të cilët së bashku me specialistët shqiptarë janë duke dokumentuar detajet dhe karakteristikat e armëve të Gardës së Republikës. Ndërkohë që për sa i përket konkluzioneve për 32 pistoletat e para, asnjëra prej këtyre armëve nuk është gjendur “fajtore” për katër vrasjet dhe 7 plagosjet e ndodhura në demonstratën e 21 janarit të ndodhur para godinës së Kryeministrisë. Ekspertiza ka treguar se vetëm shumë pak prej tyre kanë qëlluar, por që nuk mund të përcaktohet se cili ka qenë drejtimi i armës, në ajër, drejt turmës apo në tokë. Për këtë grupi i hetimit, pranë Prokurorisë së Tiranës është duke riparë dhe njëherë tjetër të gjitha pamjet filmike, për të verifikuar gardistët që në demonstratë mbanin në dorë pistoleta. Aktualisht Prokuroria ka intensifikuar hetimet për zbulimin e autorëve të tre vrasjeve në demonstratë si Faik Myrto, Hekuran Deda dhe Aleks Nikaj, si dhe plagosjen e 7 personave të tjerë. Gjatë kësaj periudhe, organi i akuzës kërkon të hedhë dritë mbi tre misteret kryesore që kanë të bëjnë mbi vrasjet, ekspertimin e plotë të armëve dhe ripyetja e dëshmitarëve e familjarët e viktimave. Këto procedura, që në pamje të parë duken si të ripërsëritura vijnë pas administrimit në dosje të provave të reja, të cilat kërkojnë argumente dhe fakte për t’u besuar plotësisht nga organet e drejtësisë shqiptare. Për hetimin e kësaj ngjarjeje Prokuroria ka mobilizuar pesë prokurorë dhe gjashtë oficerë të Policisë Gjyqësore, të cilët çdo ditë janë duke kryer veprime hetimore.

Kërkohet interceptimi i bisedave telefonike me njëri-tjetrin

Akuza vë në përgjim gardistët e dyshuar

Zbardhja e emrave të gardistëve që kanë qëlluar në drejtim të demonstruesve duke vrarë katër persona dhe plagosur shtatë të tjerë, duket se është puna më e vështirë e Prokurorisë. Pas dy muaj e gjysmë, akuza ende s’ka mbledhur provat bindëse për të vënë me “shpatulla pas murit” gardistët e akuzuar, ndërkohë që vetëm dyshime janë ngritur mbi ta. Në vazhdën e kësaj pune hetimore, Prokuroria e Tiranës mësohet se ka vënë në përgjim numrat telefonikë të gardistëve të dyshuar, duke shpresuar se nëpërmjet bisedave të përgjuara mund të sigurohen prova të mjaftueshme për arrestimin e tyre. Aktualisht vetëm njëri prej efektivave të Gardës Agim Llupo mbahet i izoluar në qeli, ndërkohë që pesë të tjetër Alfred Ahmetcenaj, Agron Malaj, Mark Nikolli, Gazmend Ahmetaj dhe Sadik Çela janë nën masën e sigurisë detyrim paraqitje. Avokatët e tyre mbrojtës e kanë kundërshtuar me forcë urdhër-ndalimet, duke pohuar se Prokuroria është nxitur duke urdhëruar arrestimin e klientëve të tyre, pa disponuar asnjë provë që implikon pozicionin e tyre në katër vrasjet e demonstratës së 21 janarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›