E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari,Hoffmann: Duhet të ketë patur urdhër për të qëlluar

TIRANE- Ekspertja gjermane, Dr. Judith Hoffmann, si njohëse e Shqipërinë, për shkak të punës së saj për Bankën Botërore ka deklaruar dje, në një intervistë për radion Dojçe Velle se në 21 janar duhet të ketë patur urdhër për të qëlluar.

“Krejtësisht e qartë është edhe që duhet të ketë një urdhër për të shtënë edhe në situata të tilla. Përndryshe thuhet, se nuk i ke nën kontroll njësitë e tua policore përkatëse, kur papritur shtihet pa pasur një urdhër për këtë veprim. Pra, ka hierarki dhe struktura të urdhrit krejtësisht të qarta”, u shpreh ekspertja gjermane.

Sipas saj, “prandaj, është e domosdoshme, që kjo të sqarohet, pra se çfarë ndodhi saktësisht dhe duhet marrë përsipër përgjegjësi politike. Kjo me çdo kusht. Sikur diçka e tillë të kishte ngjarë në Berlin, atëherë kjo (...marrje përgjegjësie) me siguri do të kishte ndodhur më shpejt. Por thjesht është e vështirë që kontekstet të krahasohen 1:1 me njëri me tjetrin.” Ekspertja gjermane flet edhe mbi çështjen e refuzimit të policisë për ditë me radhë të ndalonte gardistët e kërkuar nga prokuroria.

Judith Hoffmann është e mendimit se ky ka qenë natyrisht një vendim shumë i vështirë ose një vendim, i cili shkaktoi shumë irritime dhe rezistencë. “Bashkësia ndërkombëtare u bë këtu e dukshme dhe e pranishme nëpërmjet kanaleve diplomatike. Mendoj, se kjo tregon mjaft fort, që duhet kërkuar respektimi me çdo kusht i kritereve të shtetit ligjor dhe normave e vlerave të tjera”, tha ajo.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›