E Shtunë, 31 Tetor 2026

22 korrik 2008

    Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton nen për nen dhe në tërësi buxhetin shtesë   Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në datën 22 korrik 2008 zhvilloi mbledhje me këtë rend dite:
1. Diskutim nen për nen i projektligjit Për disa ndryshime në ligjin nr.9836, datë 26.11.2007 Për buxhetin e shtetit të vitit 2008, të ndryshuar.
2. Projektligji Për kontratën e riblerjes së titujve;
3. Seancë dëgjimore për kandidaturat e propozuara nga Presidenti i Republikës, për vendin bosh në  Komisionin e Konkurrencës.
4. Për votim: Akt - normativ Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve.
Gjatë diskutimit nen për nen të projektligjit Për disa ndryshime në ligjin nr.9836, datë 26.11.2007 Për buxhetin e shtetit të vitit 2008, të ndryshuar, të ftuar ishin Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu dhe Drejtoresha e Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi. Komisioni e miratoi projektligjin vetëm me një ndryshim në nenin 9.
Projektligji u miratua me të gjitha votat pro të deputetëve të pranishëm.
Projektligji Për kontratën e riblerjes së titujve, propozon krijimin e një infrastrukture ligjore të përshtatshme për formalizimin e lidhjes dhe zbatimin e kontratës së riblerjes së titujve, duke kontribuar në zhvillimin e tregut të titujve. Komisioni diskutoi rreth këtij projektligji dhe miratoi me të gjitha votat pro, me disa ndryshime.
Gjithashtu, Komisioni votoi aktin-normativ me të gjitha votat pro, duke bërë disa ndryshime të cilat u propozuan nga opozita në mbledhjen paraardhëse.
Në mbledhjen e sotme, Komisioni zhvilloi seancën e pyetjeve me kandidatin alternativ të propozuar nga Presidenti i Republikës, për vendin bosh në Komisionin e Konkurrencës, zotin Engjëll Skreli. Pas prezantimit që ai bëri për jetëshkrimin e tij, si dhe të rejat që ai mendon se do t`i shërbenin punës së Autoritetit të Konkurrencës, Komisioni e miratoi kandidaturën e tij, pasi plotëson kriteret e kërkuara nga ligji dhe do tia propozojë seancës plenare për votim.   (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin : +355 4 22 78 289.)   Komisioni për Politikën e Jashtme dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare diskuton tre projektligje dhe nje marrëveshje
 
Në datën 22 korrik  2008 u zhvillua mbledhja e Komisionit për Politikën e Jashtme për shqyrtimin e projektligjeve:
 
1. Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Këshillit të Ministrave të  Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, për financimin e projektit Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe.
 
2. Për  ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së  Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin Siguria e digave.
 
3. Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesmarrjen në operacionin ushtarak, të Bashkimit Evropian, për menaxhimin e krizave, në Republikën e Çadit dhe Republikën e Afrikës Qendrore (Operacioni Eurofor Tchad/RCA).
 
4. Propozimin e Projektligjit Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Austrisë, për realizimin e një sistemi kompjuterik, për regjistrin kombëtar të gjendjes civile.
 
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 27 87).

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›