E Shtunë, 31 Tetor 2026

22 prill 2008


 
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik diskuton kalendarin e punimeve   Në mbledhjen e datës 22 prill të Komisionit për Mjetet e Informimit Publik, fillimisht deputetët  diskutuan projektkalendarin 1-mujor të punës së tij, bazuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit.    Më pas, u kalua në njohjen e disa kërkesave të Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, veçanërisht asaj të mos hartimit të statusit të profesorit, i cili pengohet, sipas autorëve, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, që ende nuk po përgatit aktet nënligjore, në zbatim të ligjit nr. 9741, datë 21.5.2007 Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar. Për këtë problem, Komisioni vendosi të thërrasë në një mbledhje të ardhshme Ministrin Pollo, për të dhënë shpjegimet e duhura.   Në vazhdim të problemeve të arsimit, në Komision u shpreh shqetësimi për gjendjen e mjerueshme të shumë shkollave në territorin e Republikës, për të cilën u bë shkak shkolla e mesme Pjetër Budi në Mat, që rrezikon shembjen. Dhe për këtë problem u pa e nevojshme pjesëmarrja e Ministrit Pollo në mbledhjen e datës 6 maj 2008.   Së fundi, anëtarë të Komisionit, pjesëtarë të opozitës, ngritën shqetësimin e bërë tashmë mediatik, të heqjes së antenës së Televizionit Vizion+ në malin e Dajtit nga Policia Ndërtimore. Për një njohje me të gjerë dhe të saktë të problemit, u konsiderua e nevojshme marrja e një informacioni të hollësishëm nga KKRT-ja, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, si dhe Policia Ndërtimore. Komisioni do të shprehet në një mbledhje të ardhshme, pas njohjes  me këto informacione.           (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 96).   Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin diskuton rreth sektorit të energjisë elektrike   Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 22 prill 2008 shqyrtoi projektligjin Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9072, datë 22.5.2003 Për sektorin e energjisë elektrike të ndryshuar.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit ishin të pranishëm përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Fatjon Tugu, dhe përfaqësuesi i KESH-it, Sokol Spahiu. Të ftuarit shpjeguan se projektligji paraqet disa ndryshime që kanë të bëjnë me përshtatjen e sektorit të energjisë me direktivat e BE-së, si dhe me Traktatin e Krijimit të Komunitetit të Energjisë, të nënshkruar në Athinë në vitin 2005.
Projektligji propozon disa ndryshime, të cilat synojnë të mbështesin reformat në organizimin dhe funksionimin e sektorit të energjisë të përputhin politikën e Qeverisë për privatizimin e OSSh-së me ligjin Për sektorin e energjisëdhe të mbështesin procesin e privatizimit; të përcaktojnë procedurën e autorizimit për ndërtimin e burimeve të reja të energjisë elektrike; etj.   Për realizimin e procesit të privatizimit të OSSH-së, janë reflektuar në projektligj ndryshime që kanë të bëjnë me strukturat që do të privatizohen, si dhe furnizuesit publikë me shumicë e pakicë. Janë përcaktuar detyrat e tyre dhe krijimi i strukturave të reja.   Në përfundim të diskutimeve, deputetët u shprehën dakord në parim për kalimin e këtij projektligji, për miratim në seancë plenare.   Gjatë shqyrtimit nen për nen, Komisioni bëri disa  vërejtje, të cilat do të  paraqiten në raportin e Komisionit për seancë plenare.   (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 27 82 93).   Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskuton raportiin vjetor të Bankës së Shqipërisë   Në mbledhjen e datës 22 prill 2008, Komisioni për Ekonominë dhe Financat dëgjoi dhe diskutoi raportin e vitit 2007, të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë, të mbajtur nga Guvernatori, Ardian Fullani.   Zoti Fullani paraqiti një përmbledhje të raportit, duke u  përqëndruar në objektivin e Bankës së Shqipërisë, që është sigurimi i stabilitetit të çmimeve në periudhën afatgjatë, si dhe qëndrueshmëria e sistemit financiar dhe e ekuilibrave makroekonomikë në tërësi, pa të cilin nuk ka rritje, nuk ka investime të huaja e për rrjedhim, nuk ka zhvillim në përgjithësi.   Gjatë vitit 2007, rritja ekonomike ka arritur nivelin 6%, e cila është siguruar, si në vitet e shkuara, nga ecuria në rritje e sektorëve të shërbimeve, industrisë, transportit dhe telekomunikacioneve, si dhe ecuria pozitive e eksporteve. Gjithashtu, u rregjistrua një rritje e lartë e investimeve të huaja direkte, të cilat llogariten në 6% të PBB-së. Kërkesa e brendshme mbeti e lartë gjatë gjithë vitit 2007, duke u reflektuar më së shumti në zgjerimin e kredisë konsumatore dhe në rritjen e importeve. Numri i të punësuarve ka ardhur në rritje, sidomos në sektorin e industrisë dhe atë të shërbimeve. Po ashtu, edhe pagat e të gjithë sektorëve janë rritur gjatë vitit 2007. Paga minimale e miratuar dhe pagesat për papunësinë nuk kanë ndryshuar që prej vitit 2006, ndërkohë që numri i personave që përfitojnë pagesë papunësie ka ardhur në rënie. Viti i kaluar dëshmoi një dinamikë të qëndrueshme në drejtim të rritjes ekonomike dhe të stabilitetit makroekonomik.   Viti 2007 evidentoi një sërë sfidash, të natyrës jetike për ekonominë shqiptare. Ai përbën një nga periudhat më të vështira përsa i përket prodhimit. Prodhimi bujqësor, megjithë zhvillimet pozitive të kohëve të fundit, vazhdon të përballet me një sërë problemesh, prandaj Banka e Shqipërisë mendon se reforma strukturore në bujqësi është e domosdoshme dhe duhet të synojë: nxitjen e të gjithë faktorëve që do të çonin në rritjen e produktivitetit të prodhimit bujqësor.   I gjithë aktiviteti ekonomik i vendit është zhvilluar në kushtet e një ambienti me inflacion nën kontroll, megjithë vështirësitë e shkaktuara nga zhvillimet në ekonominë globale. Ai vlerësohet në nivelin 2.9 për qind, shumë afër objektivit sasior të Bankës së Shqipërisë, prej 3 për qind.   Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Banka e Shqipërisë, mundësuan harmonizimin e dy politikave bazë në ekonomi, asaj fiskale me atë monetare. Ky harmonizim u pasqyrua në programin afatmesëm të zhvillimit të vendit, i cili edhe gjatë 2007-ës, gëzoi mbështetjen e FMN-së, në kuadër të marrëveshjes aktuale me këtë institucion. Politika fiskale në pjesën më të madhe të vitit 2007 mund të cilësohet si shtrënguese, pasi ka qenë më shumë e orientuar drejt vjeljes së të ardhurave, sesa drejt kryerjes së shpenzimeve. Banka e Shqipërisë beson se ky do të jetë programi i fundit që gëzon mbështetjen e kushtëzuar të FMN-së, fakt që tregon se vendi është maturuar dhe se ekonomia jonë është në rrugën e duhur.   Gjatë diskutimit, deputetët i drejtuan pyetje Guvernatorit për probleme të ndryshme të aktivitetit të Bankës, si dhe ato që lidhen me ekonominë e vendit.   Gjithashtu, ata vlerësuan veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2007, marrëdhëniet e saj me Komisionin, vlerësime të cilat do të pasqyrohen në projektrezolutën që do t`i paraqitet seancës plenare.   (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 27 82 88).   Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit
Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al ;
pressoffice@parlament.al ; info@parlament.al .

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›