Socialistët evropianë në fillim në Janarit në Tiranë
Tirana do të kthehet në fillim të vitit të ri në kryeqytetin e socialistëve evropianë. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në cilësinë e kreut të Komisionit të Internacionales Socialiste për Evropën Juglindore ka thirrur mbledhjen e këtij forumi të lartë të socialistëve europianë pikërisht në Tiranë. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Partisë Socialiste Shqiptare, të cilat kanë konfirmuar dje se ideja e Ramës për të thirrur një takim të këtij komisioni në kryeqytetin shqiptarë ka nisur të realizohet dhe tashmë pritet të përcaktohet vetëm data e saktë dhe format e këtij takimi. Ndërkohë që nuk bëhet e ditur as axhenda e çështjeve që do të diskutohen në këtë forum, por natyrisht në qendër të tij do të jetë forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit të partive socialiste të këtij rajoni dhe reformimi i internacionales socialiste. Është hera e parë që socialistët europianë mblidhen në Tiranë me një përfaqësim kaq të lartë. Në këtë takim pritet të marrin pjesë dhe drejtuesit më të lartë të socialistëve evropianë të cilët drejtojnë dhe forumet më të larta drejtuese jo vetëm të internacionales, por edhe Partisë Socialiste Evropiane. Kështu, gjatë vizitës së tij në Spanjë disa ditë më parë kreu i PSSH-së, Edi Rama, gjatë takimeve që zhvilloi atje ftoi të marrë pjesë në këtë takim Sekretarin e Përgjithshëm të Internacionales Socialiste, Luis Ajalën, kryetarin e Grupit Parlamentar të PSE-së, Martin Shultz,Kryeministrin bullgar dhe njëkohësisht Kryetarin e Partisë Socialiste bullgare, Sergei Stanishev, Presidentin e PSE-së, Paul Rasmusen, e shumë personalitete të tjera. Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, vetëm dy javë më parë u zgjodh kryetar i Komisionit të Internacionales Socialiste për Evropën Juglindore.