Arrestohen për vjedhje të veturave
Drejtoria për hetimin e krimeve të organizuara në kuadër të aktiviteteve të saj për zbulimin e vjedhjes së automjeteve dhe falsifikimit të dokumenteve, ka ndërmarrë operacionin e koduar me emrin “Ibri”, ku me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake janë kontrolluar disa shtëpi dhe lokale të dyshuara, dhe janë arrestuar një grup i strukturuar prej tre personave, një shqiptar dhe dy serbë.
Të arrestuarit janë: Vllastimir V. i lindur më 1967 në Graqanicë, Goran L. i lindur më 1980 në Mitrovicë dhe Bahri Rr. i lindur më 1959 në Podujevë.
Rexhep Fetahu, drejtor i Drejtorisë për hetimin e krimeve të organizuara, ka thënë të hënën në një konferencë për media se personat e arrestuar akuzohen për aktivitete të organizuara kriminale, në veçanti vjedhje të veturave dhe falsifikim të tyre.
Sipas tij, personat në fjalë kanë kryer vepra penale të vjedhjes së veturave të shtrenjta, të cilat më pas janë falsifikuar dhe me një pagesë nga shumë të ndryshme i kanë kthyer deri te pronarët e tyre legjitimë.