Mitrovicë, ndërtohet objekt për polici

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i policisë, Reshat Maliqi dhe bashkëpunëtorë të tjerë, kanë marrë pjesë në vënien e gurthemelit të objektit të ri të Policisë së Kosovës të hënën në Mitrovicë.
Ministri Rexhepi ka thënë se është një ditë e rëndësishme për policinë, por edhe për Mitrovicën, sepse të dy institucionet janë të përkushtuara që të ketë më shumë siguri, vendosje të rendit dhe ligjit, dhe po ashtu kushte më të mira të punës për policinë.
Sipas tij, ndërtimi nënkupton dy faza, atë të ndërtimit të stacionit jug dhe faza tjetër ndërtimi i objektit për policinë rajonale. Ai theksoi se është një qasje moderne e këtij lokacioni, ndërkohë që objekti do të kryhet sa më parë, në mënyrë që policia të vendoset sa më shpejt, me ç’rast do të ketë komoditet më të mirë për punë.
Në anën tjetër, drejtori i përgjithshëm i policisë, Reshat Maliqi, vuri në pah se gurthemeli i objektit të ri të policisë do të ndikojë në ngritjen e cilësisë në punën e policisë, por edhe në shërbimin për qytetarët.
Hapësira e përgjithshme e këtij objekti është 84 ari, duke përshirë këtu 360 metra katrorë bazamentin, 2000 metra katrorë parkingun dhe 640 metra katrorë sipërfaqe të gjelbëruar.