210 milionë euro shpenzime për naftën
Shpenzimet për karburante gjatë nëntë muajve të parë të vitit regjistrojnë vlerën e rreth 210 milionë eurove nga 140 milionë euro, në nëntëmujorin e parë të vitit 2007. Rritja e vlerës së importeve të karburanteve ka ardhur pothuajse plotësisht për shkak të rritjes së çmimit, ndërkohë që vëllimi fizik i importeve të karburanteve është rritur me vetëm 2 për qind ndaj vitit të kaluar. Rritja e çmimit ndikoi në nivelin total të importeve. Banka e Shqipërisë raporton se importet e lëndëve djegëse minerale kanë pësuar rritje të ndjeshme prej 35 përqindësh, ndërsa importet e kategorisë "makineri dhe pajisje" janë rritur me 18 për qind. Rritja e çmimeve të karburanteve ka bërë që vlera e importeve të këtyre të fundit, gjatë vitit 2008, të shënojë një rritje të konsiderueshme vjetore prej rreth 50 përqindësh. "Rritja vjetore e vlerës së importeve të mallrave shënoi 17%, një normë kjo e krahasueshme me atë të vitit të kaluar. Një faktor që ka ndikuar në rritjen e vlerës së importeve ka qenë rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare", sqaron BSH-ja.