E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i vdekur 53-vjeçari, policia dyshon për vrasje

Një 53-vjeçar është gjetur i vdekur në banesën e tij në rrethana misterioze, ndërsa Policia e Korçës është duke hetuar në dy pista, atë të një vrasjeje të mundshme dhe të një vdekjeje aksidentale. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Rehovë të Vithkuqit, ku 53-vjeçari Ferat Zenuni është gjetur pa jetë dhe i mbuluar në gjak. Një plagë e madhe në kokë është shkaku i vdekjes. Policia ka ngritur dyshimet për një goditje me mjete të forta ndaj 53-vjeçarit, duke hetuar pistën e një vrasjeje të mundshme. Ferat Zenuni jetonte i vetmuar pas ndarjes nga gruaja, ndërsa djalin e kishte në emigracion. Ka qenë një telefonatë që ka njoftuar policinë për vdekjen. Ai është gjetur i shtrirë në brendësi të shtëpisë së tij, ndërsa sipas të dhënave të policisë, pranë tij ka qenë një vatër gjaku që mund të jetë shkaktuar si pasojë e hemorragjisë, pas goditjes në fytyrë. Ekspertët, që prej dy ditësh po merren me këtë rast, për të saktësuar në rast se plaga në kokën e viktimës është shkaktuar nga një goditje me mjete të forta, apo është aksidentale. Dyshimet fillestare, sipas të dhënave paraprake të hetimit, kanë qenë për një vdekje aksidentale të mundshme. Sipas policisë, viktima është gjetur i vdekur në ambientet e banesës së tij. Policia saktëson se ai ka qenë i shtrirë në korridor, pranë derës. Nga hetimet e para, policia ka deklaruar se kjo plagë mund të jetë shkaktuar nga një përplasje. Sipas burimeve të policisë, një version është se ai ka humbur ekuilibrin nga një luhatje e tensionit dhe kur ka rënë ka përplasur kokën fort në tokë, çka i ka shkaktuar plagën dhe vdekjen nga hemorragjia. Sipas ekspertëve, ai mund të jetë përplasur fillimisht në kornizën anësore prej druri të dyshemesë dhe më pas është zhvendosur deri në afërsi të derës kryesore. Sipas policisë, këtu 53-vjeçari është përplasur në dyshemenë prej betoni të korridorit. Por, për shkak të plagës së madhe policia nuk e ka përjashtuar as pistën e një vrasjeje. Sipas këtij versioni, vrasësi mund të ketë qenë duke e pritur viktimën, i cili jetonte vetëm. Policia tha se 53-vjeçari është gjetur me rroba të lagura në trup, që tregojnë se ai sapo kishte hyrë në banesë, pasi ishte kthyer me bagëtitë nga kullota. Kufoma është transportuar për në morgun e spitalit civil të Korçës, për t‘iu nënshtruar ekspertizës mjekoligjore, për të përcaktuar më saktë nga se është shkaktuar goditja në pjesën e kokës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›