Babai kërkon burgosjen e djalit të dhunshëm
Një burrë i moshuar ka qëndruar përgjatë gjithë ditës së djeshme në portën e Komisariatit të Policisë Fier, duke kërkuar ndihmën e uniformave blu, pasi dhunohej nga i biri. "Burgoseni djalin se nuk shkoj dot në shtëpi". Kjo ka qenë kërkesa e vazhdueshme e 82-vjeçarit Koli Rrapaj, banor i fshatit Mbrostar Ferko të rrethit të Fierit. Me lot në sy, plaku i ka kërkuar policit të shërbimit në Komisariatin e Fierit që të arrestonin djalin e tij 38-vjeçar Aleko Rrapaj. Djali, sipas të atit, ushtronte dhunë herë pas here mbi të. "Nuk e dua më për djalë. Është bërë i rrezikshëm jo vetëm për mua, por për të gjithë. Futeni ju në burg, apo bëni ç‘të doni me të, se mund edhe të kryejë ndonjë vrasje", i ka thënë policit të informacionit 82-vjeçari. Ai ka treguar se nata e kaluar ka qenë hera e fundit që ai është dhunuar nga i biri. "Dje erdhi në shtëpi dhe nisi të më qëllojë. Kishte pirë, por dhe pa pirë ai është shumë problematik. Kërkoj ndihmën e policisë për të mos qenë unë ai që mund të kryej ndonjë tragjedi", tha plaku. Ai shtoi se djali i tij, Aleko Rrapaj, kishte emigruar për 16 vjet në vende të ndryshme si Greqi, Maqedoni, Itali, Zvicër etj., dhe kur është kthyer në Shqipëri para dy vjetësh është tjetërsuar në sjellje dhe ishte bërë i dhunshëm. "Ndoshta është përzier me shoqëri të keqe. Është marrë me shumë pisllëqe dhe madje e kanë droguar se nuk ka mundësi. Kur ishte këtu ishte një njeri normal dhe i lidhur me familjen. Ai ndoshta ka pësuar ndonjë aksident se nuk ka mundësi", tha i ati. "Unë jetoj vetëm me Alekon, që kur më vdiq gruaja dhe tani kam frikë të kthehem në shtëpi", shtoi ai. Plaku tha gjithashtu se e ka çuar disa herë të birin në spitalin psikiatrik të Vlorës, por gjithnjë e kanë nxjerrë dhe tani nuk ka se kujt t‘i drejtohet përveç policisë që të shpëtojë nga dhuna. Policia e Fierit mësohet të ketë marrë të moshuarin në mbrojtje dhe e ka shoqëruar atë për në shtëpi, ndërkohë që ka marrë në pyetje djalin e të moshuarit, por nuk e ka arrestuar atë.