Karburantet, Shqipëria konkurron me BE-në
Konsumatorët shqiptarë mund ta konsiderojnë veten njëlloj si shtetasit e Bashkimit Evropian për sa i përket çmimit të karburanteve. Duke iu referuar të dhënave që ofron agjencia "Carburanti.le.tariffe" për vendet e Evropës dhe me ndryshimet e çmimeve që ofron INSTAT për muajin tetor, vërejmë se vendi ynë renditet në tarifa të larta. Ndryshimi i çmimeve me muajin shtator për naftën D1 (eurodiezel) dhe për benzinën nuk ka të njëjtin ritëm me rënien e karburanteve në tregjet ndërkombëtare. Uljen më të madhe për të dyja llojet e naftës e regjistrojnë vendet baltike, Letonia dhe Estonia, të ndjekura nga Qipro, me një rënie mesatare prej 20 përqindësh. Në muajin tetor, sipas INSTAT-it, benzina dhe nafta D1 kanë rënë përkatësisht -6,9 dhe -8,2 për qind, në një kohë kur në disa vende të BE-së ndryshimi i çmimit për litër ka qenë shumë herë më i lartë.