E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Ky sesion, sesioni i konsensusit dhe i reformave të mëdha.


Sesioni i ardhshëm do të jetë axhenda e sfidave të reja.   Ky 6-mujor ka qenë historik për Kuvendin e Shqipërisë me intensitetin e punës së tij, për rezultatet dhe mbështetjen e reformave të thella. Këtë 6- mujor, Parlamenti miratoi ndryshimet Kushtetuese. Këtë 6- mujor Parlamenti miratoi ligjet themelore, të reja, të buxhetit , të tregut të lirë, të shoqërive tregëtare, të falimentimit, ligjin për reformën në Sistemin e Drejtësisë.
Ky 6-mujor është 6-mujori i konsensusit, ku, natyrisht kulmore dhe historike mbetet reforma kushtetuese, e cila hoqi nenet e krizave, ndryshoi sistemin zgjedhor, ndau Shqipërinë nga Dushku, mori hapa të rëndësishme për të ndarë Shqipërinë nga e shkuara e saj e hidhur. Një reformë kjo që forcon themelet e shtetit, të parlamentarizmit dhe të stabilitetit politik.   Vlerësoj shumë konsensusin për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, së bashku me kolegët e forcave kryesore politike.
Sesioni parlamentar janar-korrik 2008, që mbyllëm mbrëmë, ka qenë ndër sesionet parlamentare më të ngjeshur me aktivitete të shumëfishta, që janë zhvilluar çdo ditë, me vendime të  shumta politike e institucionale, me një volum të madh pune shumëdimensionale.   Kuvendi gjatë këtyre 6 muajve ka zhvilluar:
49 seanca plenare publike,
Ka miratuar 116 ligje,
6 akte normative me fuqinë e ligjit,
57 vendime,
13 seanca dëgjimore parlamentare e raportime me institucione të ndryshme,
Interpelanca me Kryeministrin e Ministrat,
Seanca pyetjesh me Ministra,
Seanca informuese me Kryeministrin.   Jam shumë e lumtur që parlamenti gjatë kësaj periudhe është bërë më transparent se kurrë, kjo ka qenë ndër objektivat e mia personale dhe më bën të ndihem mirë.
Vetëm gjatë 6 muajve të fundit, në 49 seanca plenare, ka rreth 200 orë debat, pjesën më të madhe të të cilit e zënë diskutimet e deputetëve të opozitës.
Në këtë fund sesioni falënderoj në mënyrë të veçantë, gazetarët dhe mediat, të cilët transmetuan dhe pasqyruan këto 200 orë debat parlamentar, gjatë të cilave u mbështetën reformat, që u klasifikuan si të admirueshme nga ndërkombëtarët.
Për të tretën herë radhazi, edhe këtë vit, Parlamenti miratoi Buxhetin shtesë, duke shtuar brenda pak muajve rreth 300 milionë dollarë të tjerë, që shkojnë për rritje rrogash, pensionesh, për shtrimin e rrugëve, për ndërtimin e shkollave, për kanalizime, etj.
Reformat ekonomike të kaluara përmes ligjeve si: Ligji Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, ligji Për sistemin e taksave, ligji Për sistemin e taksave vendore, ligji Për turizmin, ligji Për tregtarët e shoqëritë tregtare, etj., janë sukses i madh i punës sonë.
Kuvendi ka miratuar kushtetutën e buxhetit të shtetit, ka miratuar fondet për investimet publike që në fakt janë zëri më absolut.
Investimet publike në Shqipëri, jo vetëm janë më të lartat në rajon, por ndër më të lartat në Europë duke arritur 32%  të buxhetit.
Vetëm duke ju referuar investimeve publike ndër vite rezulton se në vitin 2005 Kuvendi mbështeti fondin prej 38 miliardë lekë, në vitin 2007 ky fond u rrit në 57 miliardë lekë dhe në 2008-tën kulmoi në 95 miliardë lekë. Pra rreth 31 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, apo baraz me gjithë fondin që ishte tre vjet më parë.
Rritja ekonomike dyshifrore, rritja e numrit të bizneseve, rritja e të ardhurave, rritja e investimeve të huaja, kanë bërë që Shqipëria të shkojë drejt Bum-it ekonomik.
Këto 6 muaj, me diplomacinë parlamentare, Kuvendi u shndërrua në një avokat të fortë dhe faktor kryesor të integrimit të vendit në insitucionet Euro-atlantike dhe i bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar shumë intensiv.   Sesioni i ardhshëm do të jetë axhenda e sfidave të reja.
Dua të falënderoj edhe një herë të gjithë deputetët që mbështetën gjithë këto reforma dhe bënë që në Republikën Parlamentare, Kuvendi i Shqipërisë të jetë qendra e vendimeve të mëdha.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli iu përgjigj më pas, pyetjeve të gazetarëve.   Pyetje: Zonja Topalli ju thoni që ky ka qenë sesioni i konsensusit, por a shkon kjo në propocion të drejtë, me atë që ju e cilësuat si forcim të parlamentarizmit, kur opozita dhe një pjesë e mazhorancës, shprehen se kanë rënë pozitat tuaja.   Kryetarja Topalli: Sa më shumë që forcohet parlamentarizmi, sa më intensiv që të bëhet Kuvendi dhe fakti që në Republikën tonë Parlamentare, është bërë vendi i vendimeve të mëdha politike, institucionale, kjo vetë e forcon pozitën e çdo deputeti dhe natyrisht të Kryetarit të Kuvendit.
Dhe për këtë unë ndihem shumë mirë.
Ndiehem shumë mirë për intensitetin, ndiehem shumë mirë për mbështetjen e reformave shumë të vështira,  shumë të guximshme, që po japin dhe do të vazhdojnë të japin rezultate të admirueshme. Dhe kjo e ndierë nga ndërkombëtarët, e ndierë nga shqiptarët në buxhetin e familjeve.   Është një gjë e jashtëzakonshme që ky Parlament, tri vite rradhazi, sjell buxhete shtesë.
Që ky Parlament  të sjellë mbi 90 miliardë lekë investime, që zënë 32 % të buxhetit, kjo është një gjë e jashtëzkonshme dhe unë për këtë, jam shumë krenare.
Jam shumë krearë për gjithë aktivitetin e Parlamentit, jam shumë krenare për forcimi e parlamentarzimit, të jetës parlamentare dhe vendosjen e Parlamentit, në qendër të vendimeve të mëdha politike.   Pyetje: Zonja Kryetare a ju vjen keq, që megjithë se përpjekjet tuaja kanë qenë të përsëritura, nuk kaluan në këtë session: kodi zgjedhor, reforma në drejtësi dhe Ligji për spiunët   Kryetarja Topalli: Po e filloj nga pyetja e fundit. Lidhur me këtë, në seancat e mëparshme, opozita ka kërkuar kohë.
Mendoj, që kur opozita kërkon kohë, mirë është që ti jepet kohë. Uroj që kohën e kërkuar ta përdorë në mënyrë që të marrë vendimin e duhur, për tu ndarë nga e kaluara e tyre e rëndë, shumë e rëndë.
Përsa i takon reformës zgjedhore, mund të them së është bërë shumë. Janë vendosur baza shumë të mira dhe unë jam shumë optimiste.
Reforma në drejtësi është një reformë në proces.   Pyetje: Zonja Topalli keni ndonjë koment për votën mbrëmë në Parlament, të dekreteve të Presidentit.   Kryetarja Topalli: Mendoj se seanca dhe votat e djeshme në Kuvend, reflektuan në fakt, ndryshimin e madh midis transparencës që ishte në procedurat e  kësaj radhe, dhe transparencës në radhën e kaluar.   Pyetje: A  e shikoni të vështirë fillimin e sesionit të ardhshëm parlamentar duke pasur parasysh marëdhëniet me opozitën dhe deputetë të veçantë të saj.   Kryetarja Topalli: Unë e shoh me shumë optimizëm sesionin e ardhshëm.
Unë e shoh si sesionin, që do të bëjmë të mundur, që Shqipëria do të bëhet anëtare e plotë e NATO-s.
Ndaj dhe jam shumë krenare për bilancin e parlamentarizmit të këtyre viteve, se është  e gjithë puna e kërij Parlamenti me mbështetjen që i dha reformave, që bëri gati Shqipërinë, jo vetëm për të marrë ftesën në NATO, por me optimizëm të madh, me shumë entuziazëm, për tu bërë anëtare e plotë e NATO-s, për tu ulur në tryezën e aleatëve tanë më të mëdhenj.
 
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›