29 prill 2008
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miraton raportin e RTSH-së Në mbledhjen e datës 29 prill 2008 Komisioni për Mjetet e Informimit Publik diskutoi lidhur me projekt-rezolutën për raportin e Këshillit Drejtues për veprimtarinë vjetore të RTSH-së për vitin 2007. Mazhoranca vlerësoi arritjet që ka Këshilli Drejtues i RTSH-së për vitin 2007 në krahasim me vitin 2006, sidomos në drejtim të përmirësimit të programacionit dhe realizimit mediatik të mjaft aspekteve nga RTSH-ja, përpjekjet për përmirësimin teknologjik të saj etj. Opozita bëri disa vërejtje që lidhen sipas saj me vendin e vogël që zë publiku,qytetarët në programet e transmetuesit publik,disbalanca në informimin e publikut ndërmjet pozitës dhe opozitës si dhe kërkesën për ta kthyer këtë televizion nga shtetëror në një televizion publik. Në përfundim Komisioni me shumicë votash vendosi që projekt-rezoluta për raportin e Këshillit Drejtues për veprimtarinë vjetore të RTSH-së për vitin 2007, ti kalojë seancës plenare për miratim.
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 27 82 96). Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese dëgjon raportin e ERT-së
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 29 prill 2008 dëgjoi raportin vjetor të Entit Rregullator të Telekomunikacionit dhe caktoi dy deputetë që do të hartojnë projekt-rezolutën për vlerësimin e punës së Entit Rregullator të Telekomunikacionit për vitin 2007.
Ishin të pranishëm në mbledhje përfaqësuesit e ERT-së, Ilir Shehu dhe Gazmir Isakaj.
Anëtarët e Komisionit, pasi dëgjuan përfaqësuesit e ERT-së, kërkuan që Raportit Vjetor të ERT-së t`i shtohet qëndrimi i bordit aktual drejtues të ERT-së, në të cilën të tregohet qendrimi i tyre për problemet e trashëguara dhe vizioni për zgjidhjen e tyre.
U caktuan dy anëtarë të Komisionit (Ardian Kollozi dhe Flamur Hoxha), që do të përgatisin projekt-rezolutën e Komisionit për këtë raport, në të cilën do të përcaktohen detyra dhe afate të qarta për ERT-në dhe u vendos që pas 2-3 muajsh, Komisioni të bëjë një tjetër analizë për punën e ERT-së. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 27 82 93). Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit
Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al ;
pressoffice@parlament.al ; info@parlament.al .