22 të vdekur s'janë krim i rëndë

Tragjedia e Gërdecit, megjithëse hetohet dhe pista e aktit terrorist dhe trafikut të municioneve ende nuk ka arritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
TIRANË – Vdekja e 22 personave, plagosja e gati 250 të tjerëve, si dhe dyshime të ngritura tashmë ndërkombëtarisht për afera jo të pastra në shit-blerje municionesh, ende duket se nuk janë motive të mjaftueshme që ngjarjen më të rëndë të 10 viteve të fundit ta marrë në dorë Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Në fakt, dy prokurorët e rinj që ju bashkangjitën grupit hetimor të ngritur për ngjarjen e Gërdecit, mund t’i japin një kthesë të papritur hetimit. Zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme tha se për këtë çështje i janë bashkangjitur hetimit, prokurori Gentian Osmani nga njësia “Task Force” dhe Kostaq Beluri zëvendës drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda. Siç shpjegojnë burime jo zyrtare nga prokuroria, përfshirja e Prokurorisë për Krime të Rënda në hetim, pritet t’u japë një tjetër dimension veprimeve të grupit hetimor, por që deri më dje kjo gjë ende nuk ishte vendosur. Megjithëse zyrtarisht dosja hetimore ende nuk është regjistruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda,
ndryshimet nisën që ditën e djeshme, kur jo zyrtarisht u konfirmua fakti se tashmë hetimet do të udhëhiqen nga zëvendësprokurori i Krime të Rënda, Kostaq Beluri. Zyra e Shtypit pranë Prokourorisë së Përgjithshme nuk preferoi të bëjë koment për ndryshimin e drejtuesit të grupit hetimor. I kontaktuar nga “Korrieri” prokurori Kostaq Beluri, nuk specifikoi pozicionin e tij, por deklaroi se të gjithë prokurorët po punojnë për këtë çështje. Por burime të gazetës thanë, se hetimi do të drejtohet nga prokurori i Krimeve të Rënda, duke rritur kështu mundësinë që çështja të kalojë për kompetencë në organin e specializuar hetimor, çka do të thotë se minimalisht do dokumentohet të paktën një nga akuzat që ka kompetencë kjo prokurori. Burime nga grupi hetimor thanë se përfshirja e prokurorisë që heton veprat penale të “trafikut të armëve dhe municioneve” dhe “akt terrorist”, tregon se në ngjarjen e Gërdecit, veç të tjerash janë nën hetim edhe këto dy pista. Mësohet se është pista e trafikut të armëve dhe municioneve, ajo ku është përqëndruar më shumë prokurori që ju bashkangjit grupit hetimor pak ditë më parë. Nëse gjatë hetimit paraprak evidentohet konsumim i elementëve të kësaj vepre penale, atëherë nuk ka asnjë pengesë ligjore që çështja të kalojë në Prokurorinë për Krime të Rënda, e cila paralelisht mund të hetojë për të gjitha veprat e tjera penale që dyshohet të jenë kryer nga tre të ndaluarit, apo dhe persona të tjerë nënhetim. Burime zyrtare nga Prokuroria për Krimet të Rënda konfirmuan faktin se ende nuk ka mbërritur asnjë nga aktet e hetimit në këtë organ hetimor. “Nëse Prokuroria e Tiranës do të shpall moskopetencën, çështja do rregjistrohet këtu dhe ne do ndjekim hetimet në vijimësi”-thanë burime nga ky organ hetimor. Ndërkohë që po ditën e djeshme, Prokurori i Rrethit Tirana, Genti Xholi dhe zëvendësi i tij Genci Qano, raportuan para kryeprokurores ecurinë e deritanishme të hetimit.