E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pistoleta e Minxollit, zhurmuese

Arma e gjetur në kasafortën e fabrikës së Gërdecit dyshohet se nuk ka funksion qitës

TIRANË - Pistoleta e gjetur nga prokuroria në kasafortën e Dritan Minxollit, drejtori ekzekutiv i fabrikës së Gërdecit, dyshohet të jetë një imitacion i “Mini Blw”, por jo me të njëjtët funksione. Në këto konkluzione arriti grupi hetimit, i cili arriti të gjejë dhe kasafortën me dokumente 12 ditë pas shpërthimit tragjik. Sipas ekspertëve, nga kryqja e parë që i është bërë armës, rezulton se ajo është tepër e ngjashme me një pistoletë të vërtetë si nga forma, ashtu edhe nga pjesët përbërëse, por nuk është e sigurt nëse prej saj mund të dalin predha. Burime nga prokuroria thanë se po shikohet mundësia e ekspertizës balistike të armës së kapur, por nga vëzhgimi i parë rezulton të jetë një imitacion arme, e përdorur vetëm për pamje. “I ka të gjitha pjesët që përbëjnë një armë të vërtetë, por duhet parë nëse tyta e saj është e pajisur me vjaska, të cilat i japin drejtimin predhës”, - tha njëri prej ekspertëve që ka këqyrur armën, e cila paraprakisht dyshohet të ketë vetëm funksion zhurmues, pa arritur të nxjerrë predha. Sipas prokurorisë, e vetmja mundësi për të dhënë një përcaktim të saktë për armën e gjetur dy ditë më parë është ekspertiza balistike, e cila do të përcaktojë funksionet e plota dhe të sakta të pistoletës që paraprakisht dyshohet të jetë e llojit “Mini Blow”. Nëse arma rezulton të jetë e vërtetë, atëherë prokuroria do të ngrejë dhe akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” ndaj Dritan Minxollit, i cili prej 17 marsit ndodhet në qeli. Arma së bashku me një sërë dokumentesh dhe sende të tjera personale u gjet dy ditë më parë në rrënojat e fabrikës. Prokuroria tha se dokumentet që ndodheshin në brendësi të kasafortës i përkasin fabrikës së demontimit të predhave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›