E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thikë në zemër

Ilir Zhupa u gjet i pajetë nga një kalimtar i rastit. Dyshohet vetëvrasja në kushtet e depresionit, ose hakmarrja për shkak të krimeve të të vëllait, që mbeti i vrarë 5 vite më parë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë

BERAT - Një 27-vjeçar, vëllai i njërit prej anëtarëve të bandës famëkeqe të Altin Dardhës, u gjet dje i vdekur nga një thikë e ngulur në zemër, në afërsi të kalasë së Beratit. Mësohet se Ilir Zhupa, 27 vjeç, vëllai i Shuaip Zhupës, një nga “të fortët” e bandës së Beratit, i cili mbeti i vdekur gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në vitin 2003, u gjet pa jetë rreth orës 3:30 të mëngjesit, nga një kalimtar i rastit, që njoftoi me shpejtësi policinë. Trupi i Zhupës, lindur e banues në lagjen “Barrikada” të qytetit, u pikas vetëm 50 metra lag banesës së tij. Një grup policor që mbërriti në vendngjarje identifikoi kufomën dhe tha se viktima përveç thikës me përmasa të mëdha që i gjendej ende e ngulur në zemër, nga e cila mendohet se ka gjetur vdekjen, kishte edhe të prera të tjera nga mjeti i mprehtë në trup. Menjëherë trupi i Zhupës u transportua për në morgun e spitalit rajonal të Beratit, për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore. Nga ekspertiza e thikës, mësohet se në të u gjendën gjurmët e gishtave të viktimës. Hetimet e policisë janë shtrirë në dy pista: atë të vetëvrasjes në kushtet e depresionit, si dhe të një hakmarrjeje të mundshme. Bëhet me dije se 27-vjeçari ndodhej në një gjendje depresive, për shkak të kushteve të këqija ekonomike dhe hasmërisë që kishin persona të ndryshëm, për shkak të krimeve të Shuaip Zhupës.

“Iliri vuante krimet e të vëllait”

 Burime nga familja Zhupa bëjnë të ditur se 27-vjeçari Ilir Zhupa kishte disa vjet që ishte i papunë, ndaj gjendja ekonomike e tij ishte tejet e rënduar. 27-vjeçari ishte beqar dhe jetonte me të ëmën 60-vjeçare, Olldeze Zhupa. Të dy jetonin me pensionin simbolik të së moshuarës. “Djali kishte disa kohë që ishte shumë i mërzitur, gjithmonë mendohej dhe shfrynte me veten e tij”, thotë e ëma për gazetën. Po kështu, sipas disa të afërmve të tjerë të familjes, mësohet se Ilir Zhupa ishte vazhdimisht nën presionet e papunësisë dhe të një varfërie të skajshme. Duke mos u shprehur saktësisht nëse bëhet fjalë për një vetëvrasje apo vrasje me qëllim, të afërmit sqarojnë se “nga ana tjetër, Iliri vuante pasojat e krimeve të të vëllait, të kryera shumë vite më parë”.

Historia e familjes Zhupa

Familja Zhupa jeton prej vitesh në lagjen “Barrikada” të Beratit. Viktima është vëllai i Shuaip Zhupa, ose ndryshe të quajtur Dritan Zhupa, i cili gjatë trazirave të ‘97 ishte një vrasës me pagesë. Sipas policisë, ai ka kryer shumë grabitje dhe vrasje gjatë pjesëmarrjes në bandën e “Çelepias”, nën kryesimin e Altin Dardhës. Kjo bandë ishte tmerri i qytetit në atë kohë, pasi torturat e pjesëtarëve të saj janë të panumërueshme. Shuaip Zhupa u ka shpëtuar disa herë kurtheve të policisë. Por pak vite më parë, kur policia e Beratit drejtohej nga Ilirian Dida, u pikas vendndodhja e Zhupës në fshatin Çorogjafë, në vendin e quajtur “Bostanet”, pranë lumit Osum, Zhupa mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri. Vrasja e tij u servir zyrtarisht si një aksion i RENEA-s, por vite më vonë, kur Dida la detyrën e drejtorit të Policisë së Beratit, në fakt u hodhën shumë hije dyshimi në lidhje me ekzekutimin e vrasësit me pagesë dhe me pjesëmarrjen e forcave speciale në atë vrasje, si dhe me motivet e saj. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›