E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjollca e fabrikës së vdekjes

Në librat e llogarive të fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec ka dalë në disa raste një emër gruaje që tërhiqte shuma të vogla parash. Vjollca rezulton të quhet dhe gruaja e Delijorgjit dhe ajo e Muhamet Hoxhës, baxhanakut të Berishës

TIRANË - Verifikimi i dokumentacionit të gjetur në rrënojat e fabrikës së Gërdecit nxjerr në pah të dhëna të tjera që “hyjnë si pyka” në hetimin rreth lidhjeve të personave drejtues të fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec dhe të gjithçkaje që mund të ketë ndodhur aty gjatë këtyre muajve, para mesditës së 15 marsit. Rasti më i fundit është evidentuar pak ditë më parë, kur u has në regjistrat e fabrikës emri i një gruaje të quajtur Vjollca. Sipas burimeve të gazetës “Korrieri”, emri i kësaj gruaje ishte shkruar disa herë në regjistrin e fabrikës, ku ishin shënuar të gjitha veprimet financiare të kryera për nevojat e fabrikës, që nga nisja e funksionimit të saj e deri në ditën e tragjedisë. Sipas hetuesve, në libër është gjetur emri i saj dhe në krah shpenzimet përkatëse. “720 mijë lekë karburant - Vjollca. 300 mijë lekë darkë - Vjollca”- mësohet shkruhet në librin e shënimeve. Por kush është realisht Vjollca? Burime të prokurorisë tregohen tepër të rezervuar në lidhje me identitetin e saktë të gruas, emri i së cilës u gjet në shënimet e llogarive të fabrikës së Gërdecit. Ndërkohë që po të njëjtat burime nga organi i akuzës nuk e bëjnë me dije, nëse edhe vetë e kanë identifikuar apo jo gruan misterioze, me emrin Vjollca, që direkt ose indirekt ka lidhje me fabrikën e Gërdecit. Kjo edhe për faktin se hetimi është tashmë në pika kulmore dhe se janë të tjera pista prioritete të grupit hetimor.

Gjatë kërkimeve që bëri gazeta menjëherë pas ngjarjes tragjike të 15 marsit, emri Vjollca doli në të paktën në dy raste, por që nuk përjashtohet dhe dyshimi se mund të jetë një Vjollcë e tretë, ende e paidentifikuar, që kishte “kredite” shumë të mira në fabrikën e çmontimit të predhave dhe mund të merrte para për të mbuluar shpenzimet.

Fillimisht, të interesuar në rrugën “Mihal Grameno” në kryeqytet, aty ku banonte dhe baxhanaku i kryeministrit Sali Berisha, Muhamet Hoxha, i cili humbi jetën nga shpërthimi i Gërdecit, fqinjët thanë se bashkëshortja e tij e cila quhet Vjollca, por se ajo nuk jeton më në këtë shtëpi.

Gjithashtu, Vjollca u mësua po nga fqinjët se quhet dhe bashkëshortja e Mihal Delijorgjit, i cili ndodhet në paraburgimin 313, pas urdhërndalimit të lëshuar nga prokuroria dhe masës së sigurisë “arrest me burg” e vendosur nga gjykata. Duke kërkuar për zyrat e kompanisë “Park Construction Albania”, pranë ish-Parkut të Autobusëve, banorët e pallateve të ndërtuar prej firmës së Delijorgjit thanë se në këtë zyrë qëndronte bashkëshortja e tij. “Vjollca vinte çdo ditë në zyrën e firmës, por pas arrestimit të bashkëshortit nuk e kemi parë të vij më këtu”- thanë banorët dy ditë pas ndalimit të Mihal Delijorgjit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›