Trebicka: Më prisni në Tiranë

Biznesmeni i cili u kthye ne nje person kyç me deshmite etij per aferen e armeve Tirane - Kabul, i tha Korrierit se vetem dje i ka mberritur nje kerkese nga Prokuroria per t'u paraqitur ne Tirane. "Do te mberrij javes qe vjen", thote Trebicka
TIRANË - Kosta Trebicka, biznesmeni që denoncoi skandalin e trafikut të fishekëve shpreh gadishmërinë për të dhënë deklarimet e tij në prokurori. Pas publikimit dy ditë më parë të shkrimit në gazetën prestigjoze “New York Times”, ku në një farë mënyre vërtetohen deklaratat e Trebickës lidhur me trafikun e municioneve nga Shqipëria, biznesmeni i kontaktuar nga “Korrieri”, deklaron se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së prokurorisë. Sipas tij vetëm të enjten, prokurori që po ndjek hetimin për ngjarjen e Gërdecit i ka telefonuar dhe e ka ftuar për të dhënë shpjegime lidhur me deklaratat e publikuara para pak ditësh në media. Pyetjes nëse keni marrë ndonjë ftesë nga prokuroria, Kosta Trebicka i përgjigjet “po është e vërtet që dje më telefoni zëvendës prokurori i Prokurorisë së Tiranës, i cili më kërkoi që të shkoja në prokurori për të dhënë deklarimet e mia, lidhur me ato që kam thënë”. Biznesmeni, i cili prej disa kohësh qëndron në SHBA, tha për “Korrierin” se javën e ardhshme do vij në Shqipëri dhe puna e parë që do bëj është të shkoj në prokurori. “Iu përgjigja pozitivisht ftesës së prokurorisë. Javën e ardhshme do vij në Tiranë, ku fillimisht do shkoj në prokurori të jap deklarimet e mia.” I pyetur nëse ka marrë telefonata kërcënuese kohët e fundit dhe sidomos pas publikimit të përgjimeve në media, Kosta Trebicka deklaroi se “situata ka qenë e qetë dhe gjatë kësaj kohe nuk ka marrë qoftë edhe një telefonatë kërcënuese”.
Tashmë prokuroria ka nisur zyrtarisht hetimin për trafikun e armëve. Edhe pse ky rast u denoncua rreth pesë muaj më parë nga Geri Kokalari, i cili me anën e një emaili vuri në dijeni si ish-kryeprokurorin Theodhori Sollaku, ashtu më vonë dhe kryeprokuroren aktuale Ina Rma, u desh që situata të precipitonte fatkeqësisht deri në tragjedinë e Gërdecit, që prokuroria të niste hetimin. Ish-kryeprokurori Sollaku, tentoi të nis një hetim, por ishte mungesa e vullnetit të bashkëpunimit nga Kosta Trebicka, ai që la gjithçka në mes, ndërsa kryeprokurorja Rama, nuk e ka bërë të njohur publikisht më parë vullnetin e saj për të hapur para 15 marsit hetim pas informacioneve të dërguara nga Kokalari, veçse nëse e ka thënë mes rreshtave në një intervistë të dhënë për “Zërin e Amerikës” gjatë vizitës së saj në SHBA, ku deklaroi se ka zyrtarë të lartë nën hetim për afera të ndryshme, por që ende asnjë prej tyre nuk është vënë në pranga.