Albtelecom do të rrisë tarifat

Abonentët do te paguajne 26 milionë dollarë më shumë. Arsyeja: borxhet ende të pashlyera dhe të ardhurat në rënie
Kompania Albtelekom edhe pse gëzon avantazhin e lojtarit të parë në tregun e telefonisë fikse, ka rënie në të ardhurat dhe vazhdon të jetë një kompani me borxhe të pashlyera. Reduktimi i tarifave të interkonjeksionit tek Albtelekomi të hyra në fuqi që nga viti 2006, do të zvogëlojnë të ardhurat e kompanisë, e cila do të kompensohet me rritje graduale të tarifave të pajtimit mujor dhe të thirrjeve lokale. E ndërsa abonentët presin që kompania më e madhe fikse në vend të kryejë investime për përmirësimin e shërbimit, asaj i duhet të shlyejë ende borxhet e prapambetura dhe të rrisë tarifat. Bëhet fjalë për 40 milionë euro që kompania Albtelekom ka ende të pashlyera ndaj një operatori celular në vendin tonë. Borxhet janë të mbartura prej 5 vitesh dhe mësohet se ato nuk janë paguar në momentin që Albtelekomi është shitur tek turqit e “Çalik Enerji”. Po ashtu, burime pranë kompanisë të telefonisë fikse kanë konfirmuar se këto borxhe ende nuk janë shlyer. Përveç borxheve, kompanisë fikse i shtohet edhe niveli i ulët i të ardhurave. Nga të dhënat financiare të raportuara nga operatori Albtelekom, vërehet se të ardhurat e tij kanë pasur rritje të vogla gjatë viteve 2003-2004, ndërsa përgjatë viteve 2006-2007 të ardhurat e saj janë reduktuar ndjeshëm në afërsisht 11 për qind. Po ashtu fitimi neto i kompanisë është rritur ndjeshëm në vitin 2004, afërsisht tri herë. Por më pas, në vitet 2005 dhe 2006, të ardhurat e kompanisë kanë pësuar rënie në 22 dhe 6 për qind. Efekti në të ardhurat e Albtelekomit nga interkonjeksioni parashikohet të sjellë reduktim në masën 55 për qind, e krahasuar kjo me vitin 2006. Duke u nisur nga kjo situatë, e vetmja mënyrë që Albtelekomi do të kryejë për të përmirësuar financat e saj është rritja e tarifave. Ekspertët e Entit Rregullator të Telekomunikacioneve në raport të detajuar, shprehen se objekti i rregullimit të tarifave të Albtelekomit është ribalancimi i tarifave, çka do të sjellë efekt në rritjen e tarifës së pajtimit mujor dhe thirrjeve lokale për pajtimtarët lokalë. Sipas Entit Rregullator të Telekomunikacioneve, rritja e tarifave është parashikuar të kontrollohet në mënyrë që të ndodhë rritje graduale dhe jo e menjëhershme, pasi do të kishte efekt negativ tek përdoruesit. Por duke qenë se ekspertët e telekomunikacioneve flasin për ribalancim të tarifave, ata shprehen që Albtelekomi do të reduktojë tarifat e thirrjeve drejt rrjetit kombëtar dhe atij ndërkombëtar. Pavarësisht këtij ribalancimi të tarifave, shpenzimet e abonentëve familjarë dhe pjesës tjetër pritet që deri në vitin 2009 të shënojnë rritje të larta. Llogaritjet e Entit Rregullator të Telekomunikacioneve nxjerrin që ato të jenë në 2.075 milionë lekë të reja apo rreth 26 milionë dollarë. Një ndër efektet kryesore të kësaj metodologjie parashikon edhe rritja e numrit të përdoruesve të Albtelekomit. Por shtimi i numrit të abonentëve kërkon më shumë investime, të cilat nuk janë kryer ende nga turqit, çka duket dhe në moshedhjen në treg të numrave të rinj.