E Diel, 1 Nëntor 2026

23 mijë refugjatët, të regjistrohen me familjet

13/06/2005  Mungesa e emrave të emigrantëve, problem për partitë politike

SHKODER - Afrimi i 3 korrikut, datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në vendin tonë, gradualisht po shoqërohet edhe me ardhjen e emigrantëve, të cilët si zakonisht, nxitojnë të jenë pranë familjeve dhe të afërmve të tyre, në periudhën e pushimeve verore. Prania e tyre në ditën e zgjedhjeve, pavarësisht se jetojnë jashtë territorit shqiptar, iu jep të drejtën e votimit ashtu si çdo shtetas shqiptar. Duke pasur parasysh se emigrantët që kthehen në këtë periudhë, përbëjnë një numër të konsiderueshëm zgjedhësish, pothuajse të gjitha partitë kanë qënë të interesuara për regjistrimin e tyre në listat e votimit, nisur kjo edhe nga fakti se bojkoti i elektoratit shkodran ka ardhur përherë e në rritje, gjë që u vu re qartë, sidomos në zgjedhjet e fundit për pushtetin lokal. Duke qënë se përgjithësisht emigrantët u futën në grupin e 23 mijë zgjedhësve të koduar me 0999, si persona të pa gjetur në shtëpitë e tyre, dhe u mendua që të vendoseshin nëpër zona, duke u nisur nga adresat e nxjerra nga regjistrimi i tyre në regjistrat themeltarë të gjendjes civile, pati një sërë reagimesh nga partitë e sidomos nga PS e LSI, të cilat edhe ato vetë nuk sollën një zgjidhje të qartë për vendosjen e këtyre emrave ne listat zgjedhore. Lidhur me këtë problem, kryetari degës së PS-së Shkodër, Ndue Doda, shprehet se vendosja për të shpërndarë emrat e 23 mijë zgjedhësve që nuk u gjendën në shtëpi, në 3 zona elektorale, nuk është serioze, pasi këto zgjedhës në shumicën e rasteve nuk figurojnë në ato zona. Në vijim të mendimit të tij, Doda shprehet se partia e tij nuk është për përjashtimin e personave që janë në emigracion, të cilët mund të vijnë në Shkodër edhe gjatë gjithë javës së fundit, para datës së votimeve dhe mund të vijnë të votojnë. Ne ngulim këmbë ka sqaruar për gazetën “Metropol” Ndue Doda, që emigrantët duhet të jenë të regjistruar aty ku janë edhe pjesëtarët e tjerë të familjes, prandaj duhet punuar që të gjenden ku janë dhe të koordinohen listat zgjedhore me regjistrat themeltarë të gjendjes civile si dhe me gjendjen faktike të zgjedhësve. Ndërsa nga LSI-ja ngrihet edhe një problem tjetër, ai i migrimit të brëndshëm të popullsisë, rreth të cilit është punuar pak për verifikimin e vendbanimeve të tyre, gjë që do të ndikojë negativisht në gjetjen e emrave të tyre në listat zgjedhore. Por këtyre problemeve u shtohet edhe neglizhenca e qytetarëve të Shkodrës, të cilët në të shumtën e rasteve, ende nuk kanë shkuar për të verifikuar emrat e tyre në listat e votimeve, të shpalluara këto pranë çdo qëndre votimi, pa harruar të përmendim edhe faktin që një pjesë e votuesve nuk e dinë akoma se këto lista janë shpallur tashmë. V.Abdyli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›