E Shtunë, 31 Tetor 2026

23 parti kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor

Takimi u mbyll pa një deklaratë, megjithatë nga organizatorët e këtij takimi, siç ishte Arjan Madhi nga Partia Republikane dhe Paskal Milo nga Partia Demokracia Sociale, u tha se në ditët në vijim do të shpallet një dokument i përbashkët, ku propozimet do t’i dërgohen komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore.

Gjatë diskutimeve, partitë e vogla akuzuan Partinë Socialiste për sistemin aktual, duke e etiketuar shpesh si sistem kriminal, çka solli edhe reagimin e kreut të PS-së, Edi Rama. Drejtuesi socialist u shpreh se çështja shqetësuese nuk është sistemi zgjedhor, por problemet e hasura gjatë zgjedhjeve. “Nëse duam të ndryshojmë sistemin, eja të bëjmë. Por nëse duam të diskutojmë pafund, duke e quajtur sistem kriminal, kjo nuk është e vërtetë. Nëse ky sistem funksionoka demokratikisht diku tjetër, çfarë e bën të mos funksionojë në Shqipëri? Kjo e bën të deformuar në disa stacione, si tek listat, numërimi, votimi, etj”, u shpreh Rama.

Sipas tij, sistemi është zgjedhje e lirë e forcave politike në bazë të Kushtetutës dhe peshës që ato kanë. “Nuk ka sistem demokrat dhe jo demokratik në këto sisteme. Skënder këto janë bindje të njohura. Unë nuk mendoj se Partia Socialiste, apo Partia Demokratike bashkë me ne kemi bërë një akt antidemokratik. Ne kemi bërë një zgjedhje të lirë bazuar në disa objektiva. Kësaj zgjedhjeje që kemi bërë i qëndroj përsëri, si një zgjedhje demokratike. Në interes të një procesi sa më gjithëpërfshirës dhe sa më shumë aktor, kemi thënë që ne jemi gati të hapim diskutimin për sistemin në funksion sa më të gjerë. Askush në këtë konferencë nuk mund të bëjë deklarata për Partinë Socialiste sa herë i jepet mikrofoni. Nëse doni kontribut nga Partia Socialiste për çfarë do lloj kontributi, ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në diskutim”, vijoi ai.

Bashkëkryetari demokrat i komisionit të reformës zgjedhore, Ilir Rusmali, garantoi se Partia Demokratike do të mbështesë partitë e vogla për një reformë zgjedhore me standarde. Rusmali tha se debati rreth kësaj çështje është i madh, nganjëherë edhe kontradiktor, por nënvizoi ai, duhet mbajtur parasysh se dhe vende super të konsoliduara e kanë sot çështjen e sistemit zgjedhor temë të sistemit politik.

"Tema e sistemit zgjedhor nuk e ka gjetur qetësinë e vet që kur lindi demokracia. Ajo nuk ka arritur të realizojë perfeksionin edhe në vende të super konsoliduara si Britania apo Italia, që e kanë çështjen e sistemit zgjedhor temë të sistemit politik", tha Rusmali. 

Ai vlerësoi punën e komisionit të reformës zgjedhore, duke theksuar se janë arritur rezultate shumë të rëndësishme. "Komisioni i reformës ka bërë punë serioze. Ai jo gjithmonë e ka pasur të lehtë dhe ka arritur rezultate për çështje kardinale të reformës, duke përfshirë të tjerët në debat. Ne si komision i kemi qëndruar rigorozisht objektivit për të zbatuar me përpikmëri rekomandimet e OSBE/ODIHR-it", shtoi Rusmajli.

Në takimi, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Republikane, Arjan Madhi, kërkoi që reforma të jetë gjithëpërfshirëse. “Reformat janë kush i anëtarësimit . Kjo nuk është hera e parë dhe as e fundit që zgjidhim problemet me tranparencë dhe konsensus dhe kompromis. Nëse ne do bëjmë gabime disa ditë, do të paguajmë për shumë gjatë. Ne nuk do lejojmë luksin te kemi që kodi zgjedhor të kalojë parimet Kushtetuese. Parimi themelor është barazia e votes ose zgjedhje të barabarta”,  deklaroi Madhi.

Në fjalën e vet, kreu i PDS-së, Paskal Milo, kërkoi që në zgjedhjet e ardhshme të ketë garë të barabartë midis subjekteve politike. “Gara e ardhshme të jetë e barabartë dhe të plotësojnë ashtu si na kërkohet nga faktorët ndërkombëtar të gjitha standardet e duhura për të plotësuar kriteret e nevojshme për integrimin e Shqipërisë. Shqetësimi ynë ka qenë që së bashku të realizojmë atë që kemi menduar që në nisje, transparenca dhe gjithëpërfshirja. Ne kemi shpresë që faktorët politikë do dëgjojnë me vëmendje shqetësimet tona që vijnë nga ideja që ne të kontribuojmë të gjithë së bashku, të hartojmë një kod zgjedhor për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi Milo.

Lëvizja Socialiste për Integrim, kërkoi edhe një herë barazi të votës dhe korrektim kombëtar të sistemit proporcional, nga lokal që është aktualisht. “Ne do dëshironim që vullnetet politike të transferoheshin në komisionin përkatës parlamentar. Pasi detyrimet tona ndaj sistemit demokratik duhen përfunduar sa më parë. LSI ka qenë e qartë që në fillim të saj, që nga hyrja e saj në skenën politike shqiptare, parimet janë: Barazia në konkurrim, që të gjitha partitë politike të kenë mundësi të barabarta për të konkurruar. Parimi tjetër themelor është barazia e votës, që vota të ketë vlerën e saj të njëjtë, që zgjedhësit të kenë peshë të njëjtë pavarësisht ku e hedh votën. Ky parim përkthehet konkretisht dhe me skemën që mund të realizohet”, deklaroi nënkryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto.

Sipas tij, duhet të zvogëlohen zonat zgjedhore. “E para duke amenduar sistemin zgjedhor. Mendoj që mund të përfshihen në diskutimin e sotëm. Në rast se do ruhet sistemi aktual shohim rrugët për zgjidhje. Për ne me rëndësi që të zvogëlohet numri i zonave zgjedhore në 6, si dhe të kenë numër të barabartë zgjedhësish, dhe e dyta korrektimi kombëtar”, theksoi ai.

 Partia Socialiste 91, kërkoi që përveç korrektim kombëtar, të mos ketë as prag për hyrjen në Parlament. “Nëse bëhet fjalë për propozime që ndikojnë hyrjen në Kushtetutë kot flasim. Ka paqartësi në draft. Nuk është e qartë që mandatet ndahen mes koalicioneve apo partia hyn në zgjedhje nëse është pjesë ose jo. Së dyti po e ndërlikojmë kot cështjen. Sistem korrektim kombëtar, korrektim kombëtar pa prag se po vendosëm pragje tjetër gjë”, tha Gjergj Koja, përfaqësuesi i kësaj partie.

Për kryetarin e Partisë ‘Ligj dhe Drejtësi’ Spartak Ngjela, problem mbetet zgjidhja e problemit të vjedhjes së votave. Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Skënder Gjinushi, mendon se korrektimi i sistemit nga lokal në kombëtar, heq deformimin e votave. “Problemi që ngrihet është problemi i deformimit të votës, Realisht ne kemi adoptuar sistemin spanjoll dhe mund të them që është shumë e rrallë të gjesh një sistem spanjoll që deformon votat si në Shqipëri. Ne kërkojmë që të hiqet deformimi i votave, duke futur një metodë të korrektimit kombëtar”, tha ai. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-04-23 13:55
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›