234 punonjës policie humbën jetën në 19 vjet demokraci
Në më pak se 19 vjet, policia shqiptare shënon në radhët e saj 234 uniforma blu të vrara. Të gjithë të vrarë në krye të detyrës, e një pjesë e tyre, tashmë janë ngjitur në altarin e përjetësisë, atë të Dëshmorëve të Atdheut. Që nga viti 1990, 234 punonjës policie kanë humbur jetën, duke u përballur me krimin në të gjitha format e tij. Ashtu siç u vranë edhe Ramadan Hila dhe Shkëlzen Dobrushi dy net më parë, teksa po merrnin shërbimin. Një konflikt i vogël për shkak të detyrës ka mjaftuar që një dorë të qëllojë mbi ta, duke u shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ashtu janë vrarë edhe kolegët e tyre nga më të njohurit në radhët e policisë, deri tek ata, të cilët nuk donin asgjë tjetër veçse një polici për mbrojtjen dhe sigurinë e jetës së njerëzve. Periudha më e errët mbetet ajo para vitit të trazirave, por nuk kanë munguar edhe vrasjet e punonjësve të policisë deri në vitet e fundit. Pothuajse gjysma e tyre tashmë janë ngjitur në altarin e Dëshmorëve të Atdheut, ndërkohë që emrat e kolegëve të tjerë, edhe ata të rënë në krye të detyrës, pritet t‘u bashkëngjiten me qëllim për t‘i treguar krimit se ata nuk do vdesin kurrë. Ashtu si këta dy punonjës, të ekzekutuar në Veri të vendit, u vra edhe një ndër ikonat e policisë shqiptare, Arben Zylyftari. Drejtori i Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari, u vra nga një plumb në zemër, gjatë një aksioni për arrestimin e dy personave më 3 gusht 2000, në Shkodër. Dy personat ishin at e bir dhe ishin të kërkuar nga policia, pasi akuzoheshin për vrasje. Policia tha se Bahri dhe Admir Tafili, dy personat e kërkuar, kanë hapur zjarr mbi policinë gjatë momentit kur kjo kishte shkuar në shtëpinë e tyre për t‘i arrestuar. Arben Zylyftari, në ato çaste ndodhej në një lokal, por me t‘u njoftuar, është nisur menjëherë për në vendngjarje. Sapo ka mbërritur me makinë në zonën ku ndodheshin të rrethuar dy të kërkuarit, ndaj tij është hapur zjarr dhe një plumb e ka kapur 37-vjeçarin, duke e lënë të vdekur në vend. Zylyftari cilësohej si një nga drejtuesit më të aftë të policisë. Në nder të tij, edhe Akademisë së Rendit i është vënë emri "Arben Zylyftari". Veç tij, policia ka një sërë ikonash të tjera, që kanë rënë në krye të detyrës.