E Diel, 1 Nëntor 2026

Tremben edhe gjyqtarët, mblidhet KLD

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, autorizoi zëvendëskryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, të mbledhë urgjentisht krerët e gjykatave të rretheve dhe të apeleve për një analizë të masave të sigurisë. Çështja mbi sigurinë, sipas Spahiut, është një sfidë e ndarë në dy aspekte kryesore: siguria në mjediset e gjykatave dhe mbrojtja e jetës së gjyqtarëve. "KLD e konsideron detyrë primare mbrojtjen e gjyqësorit nëpërmjet përmbushjes më së pari të garancive ligjore dhe ky këshill ka vlerësuar rëndësinë e padiskutueshme që ka garantimi i rendit dhe sigurisë në çdo gjykatë të Republikës", deklaroi Kreshnik Spahiu. Sipas tij, pasiguria në gjykata mund të cenojë parimin e zhvillimit të procesit të drejtë ligjor. "Siguria në gjykata nuk prezumon vetëm mbrojtje të gjyqtarëve, por siguri për të drejtën, publikun, avokatët, prokurorët, si dhe për gjyqtarët gjithashtu. Në një mjedis të pasigurt, qytetarët mund të hezitojnë të kërkojnë të drejtën e tyre dhe gjyqtarët mund të kenë vështirësi në dhënien e drejtësisë", thuhet në njoftimin e KLD-së. Më pas shtohet se që prej një viti, organizimi i pushtetit gjyqësor, rregullohet nga ligji i ri organik, ku përcaktohet se në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë, pranë gjykatave organizohet shërbim i vijueshëm i Policisë së Shtetit, i cili vepron sipas urdhrave të kryetarit të gjykatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›