Grabitja e postës, kapet një i dyshuar
Arrestohet 38-vjeçari Gjergj Gjini, i akuzuar për grabitjen me armë të 3 punonjësve të Postës Shqiptare, të ndodhur disa javë më parë në qendër të qytetit të Lezhës. Aksioni për kapjen e 38-vjeçarit është kryer nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës dhe mësohet se janë shpallur në kërkim dy shtetas të tjerë, që mendohet se kanë qenë bashkëpunëtorë të Gjinit. Drejtori i policisë së këtij qarku, Mërgim Hoxha, në një konferencë për shtyp ka treguar se organizatori i grabitjes së 5 milionë lekëve të Postës Shqiptare është Elton Gjini, ndërkohë që Enver Sali Diva dhe Florind Luk Marku janë ende në kërkim. Të tre grabitësit ishin të listuar nga policia për disa precedentë penalë, mes të tjerave "vjedhje me dhunë". Mësohet se Elton Gjini ka qenë i dënuar në Itali për këtë akuzë dhe me pas është deportuar në Shqipëri. Ngjarja ndodhi më 12 mars, kur punonjësve të Postës, iu grabitën nën kërcënimin e armëve 5 milionë lekë të reja. Tre punonjësit e filialit të postës, 2 prej të cilëve ishin punonjëse dhe i treti punonjës i policisë private të filialit, pasi kanë dalë nga banka, janë grabitur nga tre persona. Pas kapjes së Gjinit, policia tashmë po punon për kapjen e dy bashkëpunëtorëve të tij.