E Diel, 1 Nëntor 2026

25 ekspertë trajnohen për aksidentet rrugore

12/04/2005  TIRANË- Fillimisht një trajnim i 25 ekspertëve të zjarrfikësve e më pas përhapje të përvojës në të gjithë vendin për të shpëtuar njerëzit që dëmtohen nga aksidentet rrugore. Shërbimi i zjarrfikësve dhe Policia e Shtetit ka nisur një kurs trajnimi 5-ditor mbi shpëtimin e njerëzve që bëhen viktima të aksidenteve rrugore. Kursi i trajnimit, sipas burimeve nga policia, ka për synim rritjen e sigurisë në rrugë, nëpërmjet bashkëpunimit të shërbimit të zjarrfikësve, Policisë së Rendit dhe Shërbimit të Emergjencave. Në kurs do të trajnohen 25 persona, shefa të zjarrfikësve të qarqeve në rrethe, punonjës të Policisë së Shtetit, doktorë të shërbimit parësor dhe mjekë nga baza e mbrojtjes civile. Pas trajnimit, ku specializantët do të njihen me anën teorike, por dhe praktike, për t'u ardhur të tjerëve në ndihmë, mendohet që ata do të jenë të aftë të trajtojnë persona të tjerë. Duke iu referuar të gjitha statistikave të Policisë së Tiranës për këtë 3-mujor, mësohet se gjatë kësaj periudhe kohore kanë ndodhur 68 aksidente, ku nga këto të vdekur numërohen 11 persona, të plagosur rëndë 24 dhe janë plagosur lehtë 46 prej tyre. Ndërkaq, nga ana e Policisë së Tiranës janë ndëshkuar 53.533 kundravajtës, janë bllokuar 244 mjete dhe janë pezulluar 1116 leje drejtimi. Nga ana tjetër, në komunikatat e përditshme që shpërndan policia, shihet qartë që drejtuesit e mjeteve që shkaktojnë aksidente në të shumtën e rasteve kanë konsumuar alkool. Ndihma për të aksidentuarit nuk është kursyer, ndërsa ky trajnim ka për synim reagimin e menjëhershëm për të mundësuar shpëtimin e jetëve të tyre dhe dërgimin në spital, në një kohë sa më të shkurtër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›