E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau burrin me sopatë. Dëshira Noka nuk e pranon akuzën

12/04/2005  Dëshira Noka, e cila dyshohet si autore e vrasjes së bashkëshortit të saj në dhjetor të vitit 1999, nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj saj. Madje, ajo nuk ka pranuar të deklarojë asnjë fjalë para hetuesve. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, të cilat sqaruan se pas zbulimit të kufomës së Avdi Nokës, gruaja e saj është marrë në pyetje. Kjo e fundit, ndërkohë vuan dënimin për vrasje të mbetur në tentativë me pasojë plagosjen e një çifti në vitin 1997, te plepat në Durrës. Burimet thanë se dje e pandehura është marrë në pyetje lidhur me vrasjen e bashkëshortit të saj, Avdi Noka. Ai u gjet disa ditë më parë i groposur në oborrin e ish-banesës, në më shumë se dy metra thellësi. Nga ekspertizat paraprake u konkludua se ishte qëlluar me sende të forta, pasi kishte dëmtime në pjesën e prapme të kafkës. Dyshohet që ai të jetë qëlluar me sopatë nga e shoqja, Dëshira Noka. Ky dyshim është bazuar në deklarimet e tre djemve të çiftit Noka. Ata kanë pohuar në polici se, natën e ngjarjes, Avdiu ishte kthyer nga puna dhe kishte shkuar të lahej në banjën që ndodhej në oborrin e shtëpisë. Aty ka shkuar Dëshira dhe e ka goditur me sopatë, kanë pohuar djemtë para hetuesve. Ndërsa ajo më pas dyshohet të ketë mbyllur derën e banjës dhe ka filluar të gërmojë në kopësht. Ditën tjetër ka marrë dy punëtorë, të cilëve u ka thënë të hapnin një pus uji aty. Por në mbrëmje, pasi gropa i ka kaluar dy metër thellësi, Dëshira u ka thënë punëtorëve të largoheshin, se aty nuk ka ujë. Djemtë kanë pohuar se natën ajo ka groposur Avdiun dhe i ka kërcënuar që të mos tregonin. Për gjashtë vjet fati i Avdiut ka mbetur enigmë, derisa i madhi i djemve ka pranuar t’i tregojë xhaxhait për tragjedinë. Por duket se zbulimi i të vërtetës nuk e ka tronditur Dëshira Nokën, e cila ka prefeurar të mos u japë shpjegime hetuesve gjatë marrjes në pyetje. Nesër pritet që gjykata të vendosë masën e sigurisë ndaj saj për veprat penale të vrasjes me dashje, kërcënimit dhe fshehjes së krimit. E.H.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›